Apostolova: BE-ja mund të asistojë në çdo formë për mbrojtjen e mjedisit
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, ka thënë e kanë bërë presion të vazhdueshëm tek institucionet lidhur me fenomenin e ndotjes së ambientit.
Në një intervistë për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Apostolova tha se kanë bërë një monitorim të afërt, jo vetëm për termocentralin por për të gjithë ndotësit.
“Unë vetëm shpresoj se do të ketë përkushtim të madh nga Qeveria, por shikoni ne kemi shumë prioritete, të cilat janë të shpërndara në shumë sektorë, pra mendoj që Qeveria duhet të ketë një qasje shumë serioze në të gjitha çështjet në interes të popullit të Kosovës. Pra, ky ka qenë gjithmonë mesazhi im për shembull, për ndotjen e ajrit, kualiteti i ajrit, adresimi i ujit dhe bërllokut”, ka thënë Apostolova.
Ajo po ashtu ka ofruar ndihmën e BE-së me projekte që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit.
“Ne jemi gati të asistojmë me çfarëdo ndihme që mund të ofrojmë, por ashtu si mund ta imagjinoni ne nuk mund të zëvendësojmë përpjekjet tona me ato të komunave apo qeverisë. Por, unë mendoj se roli jonë, dhe kjo që do ta them është me rëndësi të madhe, ne jemi duke e ngritur zërin tonë, sepse ndërkombëtarët mblidhen së bashku, formulojnë një peticion, dhe ua bëjnë të qartë personave qeveritarë dhe parlamentit, se ne jemi duke ju monitoruar, dhe ju duhet të mbaheni përgjegjës për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve të juaj… është diçka shumë e rëndësishme”, është shprehur ajo.