Apostolova: Kemi investuar 40 milionë euro në projekte për Kosovën
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka zhvilluar një takim me kryetarët e komunave të regjionit të Anamoravës.
Me këtë rast, ajo ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) në Kosovë ka investuar 40 milionë euro në projekte për Kosovën, megjithatë ka potencuar se do të vazhdojnë mbështetjen.
“Do të synojmë të shtojmë mbështetjen për fermerët e të gjitha fushave. Rinia është pjesa kryesore e vendit dhe projektet që ne po shohim të mbështetim janë projektet e infrastrukturës, por edhe grantet. Ne po planifikojmë pakon e re që po synojmë ta dedikojmë për Kosovën. Por sipas rregullave duhet të dimë se çfarë projekte të mbështesim”, ka thënë Apostolova.
Ndërsa kryetari i Komunës se Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka deklaruar se regjioni i Anamoravës ka nevojë për përkrahje më të madhe, por edhe për promovim më të madh.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, si problem në komunën që drejton ka thënë të jetë uji i pijshëm, përkundër që kanë ujë të mjaftueshëm.
Më tutje kryetari i Komunës së Parteshit, Dragan Petkoviq, ka thënë se rinia e kësaj komune po largohet.
Edhe kryetari i Lomunës së Ranillugut, Vladica Aritonoviq, ka thënë se problemi në komunën e tij është largimi i të rinjve nga kjo komunë.
Kurse kryetari i Komunës së Novobërdës, Zvetislav Ivanoviq, ka vlerësuar se duhet të bëhet më shumë për këtë komunë për zhvillim të turizmit.
Nikoqiri i këtij takimi, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se prioritet i kësaj komune është rregullimi i shtratit të Moravës.