Apostolova: Kodi Civil së shpejti dërgohet në Kuvend për miratim
Kodi Civil i Kosovës është finalizuar dhe së shpejti do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për komente dhe për miratim.
Kështu është bërë me dije në aktivitetin “Rruga drejt një Kodi Civil modern të Kosovës”, organizuar nga projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”, i cili ka mbështetur Ministrinë e Drejtësisë.
Me këtë rast, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se me të marrë mandatin e ministrit prioritet e ka pasur Kodin Civil.
“Kodi Civil ka qenë dhe është një prej prioriteteve të mëdha, po ashtu është dokumenti më i rëndësishëm pas Kushtetutës. Gjatë periudhës së hartimit të këtij kodi kemi përcjell trendet bashkëkohore të së drejtës civile. I kemi kushtuar rëndësi edhe traditës së popullit tonë. Ne i kemi kushtuar vëmendje aspiratave tona në Bashkimin Evropian. Të gjitha këto na kanë udhëhequr në punën për draftin e kodit civil”, ka thënë ai.
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Nataliya Apostolova, duke iu referuar Kodit Civil, ka thënë se për më shumë se katër viteve angazhim është arritur të bëhet një punë e madhe.
Ajo ka thënë se ky kod rregullon marrëdhëniet familjare, detyrimet dhe trashëgiminë dhe të drejtat civile.
“Në këtë proces i është dhënë një vëmendje e veçantë kontekstit kosovar. Është shumë me rëndësi se produkti që po e prezantojmë sot nuk është një produkt i përfunduar, ne po e dorëzojmë një draft qeverisë që të bëjë komentet. Realisht ky është një hap tjetër dhe do t’iu bëja ftesë që të merrni pjesë të gjithë. Kodi që e kemi sot është për secilin prej jush. Drafti është prodhuar në gjuhën shqipe. Projekti i ka përgatitur edhe një memorandum shpjegues se si do të përdoret ky kod. Prej sot është qeveria që ta përfundojë kodin civil”, është shprehur Apostolova.
/Epoka e re/