Apostolova: Kosova ka bërë përparim në sundimin e ligjit
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës (BE), Nataliya Apostolova, ajo e EULEX-it në Kosovë, Aleksandra Papadopoulou, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me kryetarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi dhe kryetarin i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, kanë mbajtur një takim të Bordit të përbashkët koordinues për sundimin e Ligjit.
Gjatë prezantimit të gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën të vitit 2018, Apostolova, ka thënë se Kosova ka bërë përparim në shumicën e çështjeve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.
Në këtë kontekst, ajo ka thënë se ky përparim është bërë falë Ministrisë së Drejtësisë, si dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.
“Ajo që mbetet për t’u bërë në fushën legjislative është miratimi i shpejtë i dispozitave në lidhje me pezullimin dhe heqjen e zyrtarëve publikë, përkatësisht të paditur dhe të dënuar për korrupsion”.
“Dispozitat ligjore të nevojshme për ata që janë dënuar, janë futur në Kodin e ri Penal, i cili tani është para Kuvendit të Kosovës. Kam mësuar gjithashtu se dispozitat përkatëse ligjore për pezullimin e zyrtarëve publikë nën hetim do të futen në Kodin e ri të Procedurës Penale, i cili aktualisht është duke u rihartuar. Ne mezi presim të shohim miratimin me shpejtësi të të dy kodeve nga Kuvendi i Kosovës”, ka thënë Apostolova.
Ndërsa, shefja e EULEX-it, Aleksandra Papadopoulou është përqendrua në procesin e integrimit të drejtësisë në Kosovën e veriut, që ka filluar në tetor të vitit 2017.
“Gjykata Themelore e Mitrovicës kërkon forcim të mëtejshëm nëpërmjet masave që synojnë tejkalimin barrierave gjuhësore ndërmjet stafit gjyqësor serb të Kosovës dhe shqiptar të Kosovës, si dhe përmes planeve të veprimit për të trajtuar ngarkesën e madhe të rasteve me të cilat përballet Gjykata e formuar rishtazi”, ka thënë ajo.
Më tutje, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka shpjeguar masat e ndërmarra nga kjo ministri për të forcuar kornizën legjislative që synon parandalimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Korrupsioni është një fenomen që është vështirë të adresohet dhe në të njëjtën kohë problem që nuk mund t’ia lejojmë vetes ta injorojmë. Është me rëndësi të madhe ta luftojmë atë për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të krijuar një rrugë solide drejt ndërtimit të së ardhmes sonë evropiane. Është punë që nënkupton përgjegjësi të madhe, të cilës kjo Ministri e Drejtësisë, si një entitet ekzekutiv, iu ka qasur shumë seriozisht”, ka thënë Tahiri.
/Epoka e re/