Apostolova nënshkruan sot ndihmën prej 5 milionë eurove nga BE-ja për Kosovën
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian për Kosovën, Nataliya Aposotolova, në ora 17:00 do ta nënshkruajë kontratën me vlerë prej 5 milionë eurove për nevojat e menjëhershme të Kosovës për të parandaluar pandeminë Covid-19.
Nënshkrimi i kësaj kontrate do të transmetohet drejtpërdrejt në orën 17:00 në “Facebook” përmes faqes së BE-së në Kosovë (@EuropeanUnionInKosovo).
Kontrata do të përfshijë furnizimin me pajisje të specializuara laboratorike dhe mjete për mbrojtjen nga Covid-19 dhe trajtimin e tij, për nevojat e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë.
Pajisjet përfshijnë respiratorë/ventilatorë, pompa infuzioni dhe pompa infuzioni shiringë, autoambulanca, oksimetër pulsi në gisht dhe oksimetër pulsi, monitorues të pacientëve, defibrilatorë, elektrokardiografë.
Në rast se disa nga artikujt e mësipërme nuk mund të sigurohen, do të prokurohen furnizimet e artikujve të tjerë të nevojshëm, siç janë testet, gypat, maskat, dorezat dhe dezinfektuesit.
Artikujt do të blihen përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS), e cila do të jetë nënshkruesi tjetër i kontratës.
Eventi do të zhvillohet në prani të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.