Apostolova: Partitë tjera ta ndjekin shembullin e PDK-së
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka mirëpritur vendimin e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli për largimin nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale zyrtarët e kësaj partie që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë.
“E mirëpres vendimin e lidershipit të PDK-së që t’i largojë nga postet publike anëtarët e kësaj partie ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza. Pres që ta shoh që ky standard të aplikohet në gjithë spektrin politik dhe nga të gjitha partitë politike në Kosovë”, ka shkruar Apostolova në llogarinë e vet në “Twitter”.
Veseli dje ka liruar nga detyra të gjithë të emëruarit e PDK-së që kanë aktakuza dhe që mbajnë pozita në institucionet publike.
Me këtë vendim janë liruar nga detyra ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, zëvendësministri i FSK-së, Agim Çeku si dhe këshilltari i kryeparlamentarit, Nijazi Kryeziu.