Apostolova: Pas demarkacionit, tash luftojeni korrupsionin
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, dhe shefat e misioneve të BE-së në Kosovë në një deklaratë për media pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, kanë vlerësuar se është përmbushur njëri nga dy kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi nga ana e Kuvendit të Kosovës paraqet një arritje të rëndësishme për Kosovën dhe popullin e saj. Ratifikimi është shembull konkret i përkushtimit të Kosovës ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore. Gjithashtu, kjo nënkupton se u përmbush një nga dy kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave për Kosovën. Dëshirojmë të shprehim urimet tona të përzemërta për ligjvënësit e Kosovës që e bënë të mundur këtë gjë. Procesi ishte i gjatë dhe me raste i mundimshëm, por në fund u arrit rezultati i duhur për popullin e Kosovës”, është thënë në këtë deklaratë.
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe shefat e misioneve të BE-së kanë komentuar edhe situatën që ndodhi dje në Kuvend. “Sidoqoftë, me keqardhje pamë që diskutimi në Kuvend u pengua nga përpjekje të vazhdueshme për t’i ndërprerë procedurat duke lëshuar gaz lotsjellës. Ne, i dënojmë me forcë të gjitha aktet e dhunës kundër ligjvënësve të Kosovës; praktika të tilla nuk kanë vend në diskursin politik”, është theksuar në deklaratë.
Po ashtu ata janë shprehur se shpresojnë dhe presin që bashkëpunimi ndërpartiak për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të jetë shenjë e lëvizjeve të ardhshme në çështjet me rëndësi të madhe për Kosovën. “Tash, vëmendja duhet të përqendrohet në forcimin e rezultateve të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Presim që të gjitha palët të vazhdojnë punën e madhe dhe përpjekjet për përmbushjen e kriterit të mbetur për liberalizimin e vizave dhe për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë dhe shefave të misioneve të BE-së.