Apostolova, qytetarëve të Kosovës: Respektoni masat e institucioneve, bartni maska
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Nataliya Apostolova, gjatë dorëzimit të pajisjeve mjekësore për luftimin e pandemisë Covid-19 te Ministria e Shëndetësisë ka thënë se është e lumtur që BE-ja e ka ndihmuar e para Kosovën.
“Si një prej donatorëve më të mëdhenj në Kosovë ajo çfarë po bëjmë momentalisht është se po e ndihmojmë Kosovën ta tejkalojë këtë krizë të tmerrshme. Pandemia nuk është një krizë vetëm për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, sepse po e shihni se çfarë po ndodhë në Evropë dhe përtej oqeanit”.
“Kjo është një pandemi që duhet ta luftojmë të gjithë së bashku. Jam jashtëzakonisht krenare që i pari që ka dalë me pako emergjente për këtu është Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij, që tregon se ne e shohim Kosovën si vëllain tonë. Aktualisht jeni fqinji jonë, por ju jeni anëtar të ardhshëm të BE-së, prandaj duhet t’iu ndihmojmë në kohë të vështira”.
Apostolova ka thënë se vlera e këtij donacioni të BE-së për përballimin e pandemisë Covid-19 është rreth 800 mijë euro.
“Po dorëzojmë 6 000 komplete testimi për Covid-19, pajisje mjekësore dhe maska mbrojtëse. Kjo është vetëm një pjesë, sepse javën tjetër do të dorëzojmë respiratorë për të cilët sistemi shëndetësor në Kosovë ka shumë nevojë”, është shprehur ajo.
Më tutje, ajo ka lavdëruar punën e IKShPK-së, derisa ka kritikuar sjelljen e qytetarëve në Kosovë.
Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë në mënyrë strikte të gjitha masat, derisa ka rikujtuar se sistemi shëndetësor në Kosovë nuk mund ta përballojë një situatë më të rënduar me koronavirus.
“Mesazhi im për popullin e Kosovës: Ju lutem, respektoni kufizimet shumë të rëndësishme që nevojiten për të luftuar pandeminë. Po e shohim në Prishtinë dhe gjithë Kosovën që njerëzit po dalin, nuk po e respektojnë distancën sociale, nuk po vendosin maskë dhe nuk janë të vetëdijshëm për pasojat shumë të mëdha që mund të mos na ndodhin neve, por familjarëve tanë që janë të moshuar ose me sëmundje kronike”, është shprehur Apostolova.