Apostolova: Raporti i ri për Kosovën është në proces të hartimit
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka bërë me dije se raporti i ri për Kosovën, i cili do të mbulojë periudhën shkurt 2018 deri në janar 2019 është në proces të hartimit.
Ajo ka shprehur optimizëm se pas analizimit të të gjitha kontributeve, BE-ja do të ketë mundësinë që të prodhojë një raport gjithëpërfshirës i cili do t’i ndihmojë Kosovës në rrugën e saj evropiane.
Apostolova këto komente i ka bërë në takimin e fundit të Bordit të përbashkët bashkërendues për sundimin e ligjit, ku kanë marrë pjesë shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi dhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.
Apostolova ka përgëzuar autoritetet e Kosovës për përpjekjet e vazhdueshme për zbatimin e kritereve të Agjendës së Reformave Evropiane, të cilat kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.
Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka potencuar se “Agjenda e Drejtësisë 2020” ka qenë e domosdoshme në qëllim të adresimit të çështjeve konkrete, të identifikuara gjatë viteve të fundit brenda sistemit të drejtësisë.
“Një mekanizëm i këtillë koordinues do të ndihmojë në qasje më të shpejtë, më moderne dhe më kualitative në qëllim të ngritjes së efikasitetit. Në këtë mënyrë, kjo agjendë do të ndihmojë procesin e rishikimit funksional, duke krijuar hapësirë për diskutime të temave të mëdha që kërkojnë hulumtim më të madh dhe diskutim më të detajuar brenda grupeve punuese”, ka thënë Tahiri.