“Apple” dhe “Google” bashkohen për të gjurmuar koronavirusin
“Apple” dhe “Google” kanë bashkuar forcat dhe po punojnë së bashku për të krijuar një teknologji që do të paralajmërojë njerëzit nëse kanë qenë në kontakt me persona të infektuar me koronavirus.
Dy kompanitë thonë se krijimi i kësaj teknologjie do t’u mundësojë përdoruesve që të mbeten anonimë. Sipas BBC, metoda e gjurmimit të kontakteve të infektuar me koronavirus do të funksionojë duke përdorur sinjalet e Bluetooth të një celulari.
Nëse një prej këtyre kontakteve, pas disa kohësh rezulton pozitiv ndaj virusit COVID-19, një paralajmërim do t’i dërgohet pronarit të celularit për ta vënë në dijeni. Të dhënat personale apo vendndodhja GPS e çdokujt nuk do të regjistrohet në serverat e kompanive.
“Privatësia dhe transparenca janë shumë të rëndësishme dhe shpresojmë që të ndërtojmë këtë teknologji. Ne do të publikojmë periodikisht informacione rreth avancimit të punës sonë”, thanë “Apple” dhe “Google” në një deklaratë të përbashkët.
Dy gjigandët e teknologjisë po punojnë së bashku në këtë projekt prej dy javësh, por sot bënë të ditura publikisht planet e tyre. /tvklan.al/