Apple humb kryesimin si kompania më e vlefshme në botë
Apple ka humbur pozitën si kompania më e vlefshme në botë, pas shitjes së konsiderueshme të aksioneve të saj.
Kompania prodhuese e naftës dhe gazit në Arabinë Saudite, Aramco, ka marrë kryesimin për herë të parë pas gati dy vjetëve.
Investitorët kanë shitur aksionet që kanë pasur nëpër kompani të teknologjisë për të kaluar në ato që i shohin si investime më pak të rrezikshme.
Vlera e Bitcoin-it, një nga valutat më të njohur digjitale, po ashtu ka rënë ndjeshëm.
Vlera e aksioneve të kompanisë Apple ka rënë për më shumë se 5 për qind të mërkurën dhe tani vlera e saj shkon në 2.37 trilionë dollarë.
Aramco, në anën tjetër, është thënë të jetë kompani në vlerë të 2.42 trilionë dollarësh.
Vlera e aksioneve në këtë prodhues energjie është rritur këtë vit për shkak të rritjes së çmimeve të naftës dhe gazit natyror.
Rritja e çmimeve ka qenë kërcënimi më i madh për rimëkëmbje të ekonomisë globale pas heqjes së masave për luftim të pandemisë së koronavirusit.
Bankat qendrore në gjithë botën janë përgjigjur ndaj këtij problemi duke rritur shkallën e interesit, çka ka shkaktuar hezitim për investime më të rrezikshme për shkak të shqetësimeve se kostoja më e lartë e huamarrjes do të ngadalësojë rritjen ekonomike.