“Apple” në telashe, mangësi në sistemin operativ IOS
“Një dobësi e re në sistemin operativ iOS të ‘Apple’ ka prekur me qindra milionë ‘iPhone’, ‘iPads’ dhe ‘iPod’, ka vlerësuar revista “Forbes” duke cituar studiuesin që e zbuloi.
Për rrjedhojë, hakerat, sipas revistës prestigjoze, po fërkojnë duart nga perspektiva e mundësisë që t’i heqin “Apple”-it kontrollin mbi pajisjet e veta dhe të ngarkojnë çfarëdolloj software-i që t’i pëlqejnë. Ky lloj hakerimi, i mbiquajtur checkm8 nga një studiues që ka preferuar të mos identifikohet me emrin e vërtetë, por vetëm si axi0mX, përbën “ një mundësi shfrytëzimi të përhershëm e të padiktueshëm për qindra miliona pajisje iOS”.
Kjo do të thotë se hakerat mund të marrin kodin e lëshuar nga axi0mX në Github dhe potencialisht të shkarkojnë firmware-in (bërthamën e sistemit operativ) në një “iPhone”. Kjo nënkupton se do t`i hiqnin “Apple” kontrollin nga pajisja dhe mund të bënin çfarë të donin me të, ndonëse kjo do të kërkonte dhe disa veprime shtesë.
“Shumica e gjeneratave të ‘iPhone’ dhe ‘iPad’ janë të prekshëm: nga ‘iPhone 4S’ (chip A5) tek ‘iPhone 8’ dhe ‘iPhone X’ (chip A11)”, ka shkruar axi0mX në “Twitter”.
Por rreziku për përdoruesit është i kufizuar. Studiuesi ka deklaruar që veprimi mund të “shkaktohet vetëm me USB”, dhe kërkon qasje fizike pasi nuk mund të kryhet në distance.