Apple njofton përdoruesit e iPhone-ve për rrezikun nga hakerët
Kompania Apple tha se një e metë po lejon hakerët që të marrin kontrollin e iPhone-ve, iPad-ëve dhe kompjuterëve Mac, duke u bërë thirrje përdoruesve që të instalojnë një përditësim emergjent të softuerit.
Ky përditësim u lëshua në mesin e javës nga gjiganti i teknologjisë, me qëllim që të rregullohej një dobësi që hakerët po e shfrytëzonin. “Apple është në dijeni për këtë problem që mund të jetë shfrytëzuar në mënyrë aktive”, tha kompania amerikane.
Megjithatë, Apple nuk tregoi nëse kishte informacion lidhur me shkallën e kësaj ndërhyrjeje nga hakerët. E meta e gjetur nënkuptonte se hakerët kishin mundësi të merrnin kontrollin e pajisjeve, duke pasur qasje në çdo të dhënë apo aftësi të pajisjeve.
Përditësimi është lëshuar për iPhone-ët, iPad-ët dhe kompjuterët Mac që kanë sisteme operative të ndjeshme.