“Apple” prezanton risitë: “iTunes” shpërbëhet në disa aplikacione të reja
Kompania “Apple” ka njoftuar se “iTunes” do të zëvendësohet nga “Apple Music”, “Apple Podcasts” dhe “Apple TV”.
Ka pasur spekulime se gjiganti teknologjik po planifikonte mbylljen e shërbimit muzikor që kishte lançuar në vitin 2001. Kompania po ashtu ka bërë të ditur edhe një numër masash të reja për privatësinë, në konferencën e saj të përvitshme të zhvillimit në San Jose.
Një regjistrim i ri do të jetë një alternativë për të hyrë në aplikacionet që përdorin llogaritë e medieve sociale, duke fshehur adresën e “e-mail”-it të përdoruesit dhe të dhënat. “iTunes” do të mbetet ndërkohë e pandryshuar në platformat “Windows”.
Gjiganti i teknologjisë shfrytëzon konferencën e përvitshme për të prezantuar planet e tij për muajt në vijim. Të tjera përmirësime përfshijnë opsionin për të vënë në heshtje telefonuesit e panjohur dhe për të bllokuar dërguesit brenda aplikacionit “Mail”, kërkim të përmirësuar në mesazhe dhe karikim të optimizuar të baterisë.
“Apple” ka bërë përmirësime edhe për tastierën e saj të gjuhës, përfshirë tastierat dygjuhëshe dhe parashikime në shkrim për disa gjuhë të botës. Po ashtu, edhe “Apple Watch” bëhet më e pavarur nga “iPhone” me “App Store”-in e saj.
Gjiganti teknologjik zbuloi po ashtu edhe “Mac Pro”-në e ridizajnuar, të pajisur me një procesor “Intel 28 Core” dhe ekran “Display Retina 6K” që është 40 për qind më i madh sesa ekrani aktual i “iMac”./tch/