‘Apple’ kërkon falje për ngadalësimin e ‘iPhone’-ve
Pak ditë pasi pranoi zyrtarisht se ka ngadalësuar me dashje një pjesë të konsiderueshme të ‘iPhone’-ve të viteve të shkuara, ‘Apple’ e përballur me kritika të mëdha, të cilat e detyruan të u kërkoj falje klientëve për veprimin e saj.
Kompania ka deklaruar se do të zëvendësojë bateritë për kosto më të ulët dhe se që prej 2018-s do të ofrojë programe përmes së cilave klientët mund të monitorojnë gjendjen e baterisë. Prej shumë kohësh, një pjesë e mirë e klientëve të ‘Apple’ dyshonin se kompania ngadalësonte ‘iPhone’-t e vjetër, në mënyrë që t`i detyronte ata të blenin modelet e reja.
Sigurisht që ‘Apple’ nuk e pranon këtë, por pranoi se kishte ngadalësuar disa prej telefonave me bateri të vjetra në mënyrë që të zgjaste jetën e vetë pajisjes. Duket se pak vetë e kanë besuar justifikimin e ‘Apple’, madje në komentet në rrjetet sociale janë shtuar thirrje për padi ndaj saj.
Aktualisht në SHBA janë bërë 8 padi ndaj ‘Apple’ për çështjen e ngadalësimit të telefonave të vjetër, aksione ligjore që po zhvillohen edhe në Izrael dhe në Francë. Vetë kompania ka deklaruar se po merr masa që të adresojë shqetësimet e klientëve për të rifituar besimin e tyre, ndërsa ofroi ndërrim baterie jashtë garancie me 29 dollarë në vend të 79 për ‘iPhone 6’ e më lart.
Fakti që ‘Apple’ e pranoi ngadalësimin e ‘iPhone’-ve vetëm kur kjo u zbulua nga njerëzit, ka dëmtuar jo pak besimin tek kompania dhe shumë përdorues të ‘iPhone’ tashmë po konsiderojnë kalimin tek rivalët.(tch)