Aprovimi i demarkacionit, vizat kah mesi i vitit të ardhshëm
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, ka thënë të premten se sa i përket çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, koalicioni qeverisës do të marrë vendim të duhur, në përputhje me interesin e shtetit dhe të qytetarëve.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se nëse do të ketë aprovim të demarkacionit në një periudhë të afërt, atëherë liberalizimi i vizave do të mund të ndodhte kah mesi i vitit të ardhshëm. “Kosovës, mbase pa të drejtë, i është venë ky kusht dhe, siç po duket, nuk ka alternativë për ta shmangur. Jam i prirë të besoj se koalicioni aktual qeverisës do të marrë vendim të duhur në përputhje me interesin e shtetit dhe të qytetarëve të tij. Nëse do të kishim aprovim të demarkacionit në një periudhë të afërt, atëherë i bie se mund të kemi liberalizim të vizave kah mesi i vitit të ardhshëm, sepse janë një varg procedurash që marrin së paku 5-6 muaj”, është shprehur Gashi.
Sipas tij, sa i përket demarkacionit problemi është jo tek dallimet rreth argumenteve, por tek dallimi rreth kritereve dhe metodave që kanë përdorur komisioni i parë dhe i dytë.
“Nëse komisioni i parë argumenton se kriter bazë, për të cilin janë marrë vesh edhe me faktorin ndërkombëtar, është marrë kriteri kadastral apo i menaxhimit të pronave komunale dhe në përputhje të këtij kriteri matjet janë të sakta, atëherë del se puna është kryer me korrektësi dhe kompetencë profesionale nga komisioni i parë dhe se tani asgjë s’mund të sjellë rezultate të tjera, veçse nëse përjashtohet kriteri kadastral dhe vendoset për një kriter tjetër”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka vlerësuar se qeveria Haradinaj e ka kuptuar seriozitetin e agjendës evropiane, por rezultatet mbeten të shihen. Në këtë kontekst, Gashi ka theksuar se Kosova ka marrë MSA-në, por ende ka punë të konsiderueshme për të lëvizur në drejtim të procesit të përafrimit dhe të integrimit në Bashkimin Evropian.
“Mendoj se secili kryeministër në raport me agjendën evropiane i ka shumë të qarta detyrat e tij. Kosova ka marrë MSA-në, por ende ka punë të konsiderueshme për të lëvizur në drejtim të procesit të përafrimit dhe të integrimit në BE. Ndoshta edhe në këtë drejtim test janë obligimet e marra nga procesi i dialogut të Brukselit dhe përmbushja e marrëveshjeve si demarkacioni me Malin e Zi, krijimi i asociacioni të komunave serbe dhe forcimi i shtetit ligjor e luftimi i kriminalitetit dhe korrupsionit. Unë po besoj se qeveria e Haradinajt e ka kuptuar seriozitetin e kësaj agjende. Rezultatet mbetet të shihen”, ka theksuar Gashi.
“Epoka e re”: Z. Gashi, edhe më tutje çështja e demarkacionit me Malin e Zi mbetet problem kryesor sa i përket procesit të liberalizimit të vizave. Besoni se ky koalicion qeverisës do të mund t’i japë zgjidhje këtij problemi?
Gashi: Konstatimi juaj, fatkeqësisht, është i saktë. Kosovës, mbase pa të drejtë, i është vënë ky kusht dhe, siç po duket, nuk ka alternativë për ta shmangur. Jam i prirë të besoj se koalicioni aktual qeverisës do të marrë vendim të duhur në përputhje me interesin e shtetit dhe të qytetarëve të tij.
“Epoka e re”: Cila është zgjidhja e duhur sipas mendimit tuaj?
Gashi: Nuk jam ekspert i çështjeve të demarkacionit por, duke përcjell nga afër debatin për këtë temë, sipas pikëpamjes time, problemi është jo tek dallimet rreth argumenteve, por tek dallimi rreth kritereve dhe metodave që kanë përdorur komisioni i parë dhe i dytë. Nëse komisioni i parë argumenton se kriter bazë, për të cilin janë marrë vesh edhe me faktorin ndërkombëtar, është marrë kriteri kadastral apo i menaxhimit të pronave komunale dhe në përputhje të këtij kriteri matjet janë të sakta, atëherë del se puna është kryer me korrektësi dhe kompetencë profesionale nga komisioni i parë dhe se tani asgjë s’mund të sjellë rezultate të tjera, veçse nëse përjashtohet kriteri kadastral dhe vendoset për një kriter tjetër. Ndryshimi i kriterit është vendim politik dhe jo profesional. Tekefundit, kufijtë e jashtëm të shteteve në marrëdhënie ndërkombëtare referohen (quhen) si kufij politikë, pra kufij që janë caktuar mbi bazën e marrëveshjeve politike.
“Epoka e re”: Në rast se kalon demarkacioni, qytetarët e Kosovës kur do të mund të lëvizin pa viza?
Gashi: Nëse do të kishim aprovim të demarkacionit në një periudhë të afërt, atëherë i bie se mund të kemi liberalizim të vizave kah mesi i vitit të ardhshëm, sepse janë një varg procedurash që marrin së paku 5-6 muaj. Proceduralisht Komisioni Evropian duhet të hartojë një raport pozitiv se janë përmbushur kushtet nga “road map” dhe i njëjti raport t’i dërgohet Këshillit Evropian, i cili pastaj, në koordinim me Parlamentin Evropian, propozon heqjen e Kosovës nga e ashtuquajtura listë e zezë dhe vendosja në listën e bardhë të shengenit.
“Epoka e re”: Si e komentoni qasjen e qeverisjes Haradinaj ndaj agjendës evropiane të Kosovës?
Gashi: Mendoj se secili kryeministër, në raport me agjendën evropiane, i ka shumë të qarta detyrat e tij. Kosova ka marrë MSA-në, por ende ka punë të konsiderueshme për të lëvizur në drejtim të procesit të përafrimit dhe të integrimit në BE. Ndoshta edhe në këtë drejtim test janë obligimet e marra nga procesi i dialogut të Brukselit dhe përmbushja e marrëveshjeve si demarkacioni me Malin e Zi, krijimi i asociacionit të komunave serbe dhe forcimi i shtetit ligjor e luftimi i kriminalitetit dhe korrupsionit. Unë po besoj se qeveria e Haradinajt e ka kuptuar seriozitetin e kësaj agjende. Rezultatet mbetet të shihen.
“Epoka e re”: Ngecje po shihet të ketë edhe në procesin e njohjeve të reja për Kosovën. Gjatë këtij tremujori të qeverisjes Kosova ka arritur vetëm një njohje. Duhet ndryshuar strategjia sa iu përket njohjeve?
Gashi: Ndoshta diplomacia nuk është pjesa më e fortë e kësaj qeverisje, kur kemi parasysh mosaplikimin për anëtarësim në UNESCO, e as në INTERPOL, edhe pse një gjë e tillë nga kreu i diplomacisë u deklarua se do të ndodhë pasi, sipas tij, ishin siguruar votat. Doli e kundërta e saj. Edhe problemet me disa njohje që i krijoi Serbia, besoj nuk pati reagim të duhur për të sqaruar së paku opinionin e brendshëm se çfarë po ndodhte. Nuk dua më shumë të komentoj, edhe pse kam vërejtjet e mia edhe për veprimet, përkatësisht mosveprimet e tjera në këtë dikaster të kësaj qeverie.
“Epoka e re”: Kryeministri Haradinaj ka thënë se, nën drejtimin tij, Kosova synon ta marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2018. Sa ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë?
Gashi: E thashë më lart se agjenda evropiane e Kosovës në shikim të parë duket e qartë, referuar kërkesave që duhet të përmbushim, por për mua në tërë këtë proces mbetet të shihet se cili do të jetë reagimi i shteteve jonjohëse të Kosovës. Ato mund të nxjerrin pengesa shtesë. Por, sido që të jetë, ne duhet t’i përmbushim obligimit tona dhe vetëm pastaj të shohim nëse do të jetë BE-ja e drejtë plotësisht me Kosovën në kuptimin e eliminimit të barrierave formale që mund të paraqiten. Ne duhet ta kryejmë punën tonë dhe vetëm atëherë të flasim për data. Mendoj se qytetarët nuk po i marrin seriozisht datat ngaqë ka më shumë se gjashtë vjet që japin data për liberalizimin e vizave dhe ne ende vazhdojmë të jemi në geto.
“Epoka e re”: Sipas këtij ritmi, Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kur do të mund të jenë pjesë e Bashkimit Evropian?
Gashi: Nëse do të kishte vullnet të dyanshëm nga qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor për përmbushjen e kritereve edhe nga vendet anëtare të BE-së, në politikat e zgjerimit në drejtim të vendeve tona, distancat kohore mund të shkurtohen. Nuk jam i gatshëm të flas për data.