Aprovimi i rezolutës fuqizon Kosovën në dialogun me Serbinë
Njohësi i proceseve politike në vend, Shkëlzen Maliqi, ka mirëpritur miratimin e rezolutës dhe ekipit negociator për dialogun Kosovë – Serbi.
Ai ka thënë se ky veprim mund ta fuqizojë pozitën e shtetit të Kosovës në këtë proces.
“Edhe pse rezoluta si dhe krijimi i ekipit për dialog janë aprovuar vonë, thuajse në moment të fundit, megjithatë shpresoj se është kapur hapi”, ka deklaruar Maliqi në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”.
Sipas Maliqit, kryesorja është se tani i gjithë procesi premton se do të jetë më transparent, i kontrollueshëm dhe finalja e tij do të vuloset nga Kuvendi i Kosovës.
Ai ka vlerësuar se PSD-ja me inkuadrimin në dialog ka ndërmarrë hapin e guximshëm për të dalë nga hija e Vetëvendosjes, duke bërë kështu opozitë konstruktive kur janë në pyetje çështjet madhore.
Ndërsa sa i përket mospërfshirjes së LDK-së dhe Vetëvendosjes në dialog, ai ka thënë se këto dy parti nuk i kanë vlerësuar drejt prioritetet se çka është për momentin urgjente dhe çka mund të presë.
Megjithatë, Maliqi ka theksuar se LDK-ja dhe LV-ja mund të reflektojnë dhe të kyçen më vonë në proces ndonëse, sipas tij, kjo nuk është shumë e besueshme.
“Ata e shohin procesin të përmbysur, e kanë me nguti rilegjitimimin, me shpresën se pushteti do t’i takojë atyre, kurse dialogu mund të presë, bile edhe të riformatizohet. Sidoqoftë, tani ekipi negociator është legjitim, nuk e ka vetëm shumicën e brishtë e nxënë varur me praninë/mospraninë e Listës Serbe, kurse tani të paktën për dialog kemi shumicën solide të përfaqësimit”, është shprehur Maliqi, duke shtuar se LDK-ja dhe Vetëvendosja mund të faktorizohen kur marrëveshja finale do të vijë për miratim në Kuvendin e Kosovës meqë nevojiten edhe votat e tyre.
“Epoka e re”: Z. Maliqi, si e keni parë miratimin e rezolutës për dialogun dhe mandatimin e ekipit negociator?
Maliqi: Aprovimi i rezolutës dhe inkuadrimi i PSD-së në grupin për dialog janë akte që pas disa vjetësh tejkalojnë ngërçin dhe bllokadat që e kanë shkaktuar përçarjen në dy blloqe dhe vendnumërimin e dëmshëm në vazhdimin e proceseve të shtetndërtimit të Kosovës dhe fuqizimin e pozitës dhe të qëndrimeve më konsistente të Kosovës në dialogun me Serbinë si dhe sigurimin e respektit nga BE-ja, ku çarjet tona kanë shkaktuar mosliberalizimin e regjimit të vizave. Edhe pse rezoluta si dhe krijimi i ekipit për dialog janë aprovuar vonë, thuajse në moment të fundit, shpresoj se është kapur hapi. Nëse janë të sakta parashikimet që marrëveshja obliguese mes Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet sa më shpejt, me gjasë brenda gjashtë muajve të ardhshëm, rirreshtimi në skenën politike të Kosovës premton se do të jetë më dobi, shumë më mirë nëse në këtë periudhë do të mbeteshim të përçarë duke kontestuar angazhimet e presidentit Thaçi si të vetmit negociator aktiv. Tani kemi dy instanca të dialogut ekzekutiv, shpresoj të koordinuara mes vete, me garancinë se vendimmarrja finale do të ndodhë në Kuvend i cili ratifikon ose refuzon marrëveshjen.
“Epoka e re”: Si e komentoni mospërfshirjen e LDK-së dhe të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë ekip dhe a mund të ndodhë që në të ardhmen kjo parti të bëhet pjesë e procesit?
Maliqi: LDK-ja dhe LV-ja nuk pranuan të hyjnë në ekip, por i kanë ende vendet e rezervuara. Pra, mund të reflektojnë dhe të kyçen më vonë, ndonëse kjo nuk është shumë e besueshme. Argumentet e tyre kundër nuk janë për t’u injoruar krejtësisht, sepse kërkonin që paraprakisht të bëhet reforma zgjedhore dhe të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Por, mendoj se LDK-ja dhe LV-ja nuk i kanë vlerësuar drejt prioritetet, çka është për momentin urgjente dhe çka mund të presë. Ata e shohin procesin të përmbysur, e kanë me nguti rilegjitimimin, me shpresën se pushteti do t’u takojë atyre, kurse dialogu mund të presë, bile edhe të riformatizohet. Sidoqoftë, tani ekipi negociator është më legjitim, nuk e ka vetëm shumicën e brishtë e nxënë varur me praninë/mospraninë e Listës Serbe, kurse tani, të paktën, për dialog kemi shumicën solide të përfaqësimit.
“Epoka e re”: Duke pasur parasysh se tash ekipi drejtohet nga opozita, përkatësisht nga PSD-ja, cila do të jetë ecuria e procesit?
Maliqi: PSD-ja ka ndërmarrë hapin e guximshëm që e nxjerr nga hija e LV-së. Nga ana tjetër, ajo nuk është futur në Qeveri, por mbetet opozitë. Ky është qëndrimi i asaj që në politikë quhet opozitë konstruktive. Kur janë në pyetje çështjet madhore lihen anash mërit dhe mospajtimet mes subjekteve politike. Po kështu, PSD-ja ka hequr dorë edhe nga kontestimi i rolit të Hashim Thaçit në dialog. Ai e ka vendin e vet në dialog në nivelin e takimeve të presidentëve, por duhet të koordinohet me ekipin negociator të sapokonstituuar. Njëfarë dore edhe presidentin duhet parë si pjesë e ekipit.
“Epoka e re”: Z. Maliqi, a besoni se tashmë është gjetur formula e duhur për arritjen e qëllimit të Kosovës në kuadër të dialogut me Serbinë?
Maliqi: Kryesorja është se tani i gjithë procesi premton se do të jetë më transparent dhe i kontrollueshëm, me finalen që do të vuloset nga Kuvendi. Nëse dialogu dhe marrëveshja historike me Serbinë janë projekte premtuese, kjo do të shihet. Opozita edhe e ka kërkuar këtë tërë kohën, pra transparencën, përgjegjshmërinë dhe vijat e kuqe. Nuk ka pasur arsye që e gjithë loja të duket si tentim për frenimin ose edhe eliminimin e presidentit Thaçi. Njëfarë dore edhe opsioni i tij që kohët e fundit nuk e përmend aq shumë, mund të mbetet në lojë, por tani është me rëndësi që zgjedhja e propozuar, nëse arrihet pajtimi, duhet të ratifikohet/ aprovohet nga 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e kjo sërish ‘faktorizon’ LDK-në dhe Vetëvendosjen, sepse nevojiten edhe votat e tyre, nëse jo për afirmim, atëherë për rrëzimin e marrëveshjes.
Shqipe HETEMI