Aprovohet raporti i punës dhe plani i veprimit i koordinatorit Hoti
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e së premtes ka aprovuar raportin e punës së vitit 2018 dhe planin e veprimit të koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport për vitin 2019.
Raporti i punës dhe plani i veprimit u prezantua para kabinetit qeveritar nga koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti.
Koordinatori Hoti ka folur për Programin Nacional për Rininë duke treguar për ecurinë e implementimit si dhe për rëndësinë e tij në stimulimin e nxënësve.
“Për herë të parë Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar një program që përfshinë të gjithë nxënësit pa përjashtim dhe pa dallim. Në kuadër të programit do të mbahen gara në fushën e diturisë, sportit dhe kreativitetit kulturor e mendimit kritik. Do të ndahen mbi 30.000 shpërblime për të gjithë fituesit e vendit të parë. Ky program do t’i angazhojë dhe ndihmojë edhe prindërit, mësimdhënësit, drejtorët dhe të gjithë shoqërinë”, ka thënë koordinatori Hoti.
Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj ka theksuar edhe njëherë mbështetjen që ai i ofron koordinatorit Hoti për implementimin e këtij programi.
“Sot miratuam planin e veprimit të Programit Nacional për Rininë të Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport. Është një program për mbi 340 mijë nxënës dhe mbi 110 mijë studentë andaj unë shfrytëzova rastin që edhe në mbledhjen e qeverisë të falënderoj z. Rexhep Hoti për këtë”, u shpreh kryeministri Haradinaj.
Hoti ka njoftuar se gara në shkolla do të fillojë në këtë gjysëmvjetor.
Po ashtu Hoti ka pohuar se është përfunduar edhe drafti i Programit Ndërshtetëror për Rininë për Shqipërinë dhe Maqedoninë i cili së shpejti do t’i prezantohet këtyre shteteve.
/Epoka e re/