Aprovohet tërheqja e një viktime nga procedurat në rastin e liderëve të UÇK-së

25 prill 2025 | 13:36

Në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është aprovuar tërheqja e një viktime pjesëmarrëse në këto procedura.

Mbrojtësi i viktimave kishte njoftuar me 17 mars 2025 që kjo viktimë dëshiron që të tërhiqet nga këto procedura. Arsyeja e kësaj tërheqje lidhej me shqetësimet për sigurinë.

Më vendimin e tij për miratimin e tërheqjes, trupi gjykues kishte thënë se viktimat nuk duhet të detyrohen të vazhdojnë të marrin pjesë në procedura në rast që ato nuk dëshirojnë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Si rrjedhojë, ata kishin verifikuar nëse viktima e kishte bërë këtë tërheqje me vullnetin e tij dhe si rrjedhojë e kishin miratuar atë kërkesë në vendimin e 23 prillit 2025.

Ndryshe, me 14 prill 2025, trupi gjykues ishte njoftuar nga mbrojtësi i viktimave se një viktimë pjesëmarrëse ishte ndarë nga jeta dhe si rezultat, aktualisht numri i viktimave pjesëmarrëse në këtë rast është 152.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të premten në Federatën e Hendbollit të Kosovës është mbajtur…