Arabia i konsideron ‘absurde’ pretendimet për sulm ndaj Bezosit
Arabia Saudite ka mohuar se princi i saj i kurorës, Mohammed bin Salman ka qenë përgjegjës për hakimin e telefonit të shefit të kompanisë Amazon, Jeff Bezos.
Një mesazh nga numri i telefonit që shfrytëzohet nga princi është përfshirë në shkeljen e të dhënave, sipas raporteve.
Ambasada saudite në Shtetet e Bashkuara ka thënë se këto rrëfime “janë absurde” dhe ka bërë thirrje për t’i hetuar ato.
Më herët është pretenduar se ky sulm ka qenë i lidhur me vrasjen e kolumnistit të së përditshmes, Washington Post, Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll.
Përveç që është themelues i gjigantit të shitjeve, Amazon, Bezos ka në pronësi edhe “Washington Postin”.
Sipas gazetës britanike “Guardian” telefoni i Bezosit është hakuar pasi ka pranuar një mesazh në aplikacionin WhatsApp, i dërguar nga llogaria personale e Salmanit.
The Financial Times ka raportuar se pas marrjes së mesazhit, telefoni i miliarderit ka nisur të shpërndajë në mënyrë sekrete një sasi të madhe të informacionit.
Kjo nuk është hera e parë që mbretëria saudite është lidhur me hakimin e telefonit të Bezosit.
Në mars të vitit të kaluar një hetues ka gjetur se Arabia Saudite ka qenë mbrapa sulmit, për të fituar qasje në të dhëna.