Arabia Saudite e interesuar të investojë në Kosovë
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ka deklaruar se Kosova ka shënuar rritjen më të madhe ekonomike në rajon, gjatë forumit të biznesit mes të Kosovës dhe Arabisë Saudite.
“Arabia dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale. Vendet arabe vazhdimisht kanë mbështetur vendin tonë. Jemi një vend që tregojmë stabilitet makrofiskal ekonomik. Në matjen e fundit të rritjes ekonomike vendi ynë ka rritjen më të madhe ekonomike në rajon. Kemi bërë progres në këto dhjetë vjetët e fundit”, ka thënë Hoxhaj.
Ndërsa ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se Kosova ka ambicie të mëdha për zhvillim ekonomik.
Në anën tjetër, presidenti i Kompanisë “Mubara”, Khalid Abdulrahman, ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen.
“Shpresoj që ky takim të jetë një rast për mundësinë e investimeve dhe bashkëpunimit tonë. Arabia Saudite e gëzon një pasuri të madhe natyrore. Ne jemi të interesuar të zgjerojmë biznesin edhe jashtë Arabisë Saudite. Kështu do t’i vendosim fillet e para që të bëjmë biznes ndërshtetërorë”, ka thënë ai.
Kurse Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve Vendor, ka thënë se ndjehen të privilegjuar që Arabia Saudite ka zgjedhur Kosovën për të investuar.