Arabia Saudite, orë policore 24-orëshe gjatë Bajramit
Ministria e Brendshme e Arabisë Saudite ka njoftuar se do të vendosë orë policore 24-orëshe gjatë pesë ditëve për festën e Fitër Bajramit në fund të këtij muaji për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Ora policore do të jetë në fuqi nga data 23 deri më 27 maj, në periudhën kur myslimanët në mbarë botën e shënojnë fundin e Ramazanit dhe e festojnë Fitër Bajramin.
Në deklaratën e kësaj ministrie thuhet se bizneset dhe ndërmarrjet do të qëndrojnë të hapura deri në ato data dhe njerëzit mund të lëvizin lirshëm nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 5 të pasdites, përpos Mekës, që vazhdon të mbetet në izolim të plotë.
Arabia Saudite më parë ka zbatuar orë policore 24-orëshe në shumicën e qyteteve, por e ka lehtësuar këtë masë në fillim të Ramazanit. Megjithatë, ora policore nuk është larguar në zonat që kanë numër të lartë të rasteve me koronavirus.
Deri më tani në Arabinë Saudite janë shënuar 42 925 raste me Covid-19, ndërsa 264 persona kanë vdekur, shkruan “Reuters”, transmeton Express.