Arago dhe Januzi: Prishtina meriton të kalojmë edhe një raund tjetër

10 korrik 2018 | 17:35

Mbrojtësi Jamal Arago ka thënë se Prishtina e meriton të kalojë edhe një raund në Ligën e Evropës.

Fituesja e Kupës së Kosovës, Prishtina, të mërkurën nga ora 18:00 përballet me CS Fola Esch nga Luksemburgu.

“Kemi arritur deri te një raund tjetër dhe për Prishtinën dhe për çdonjërin që jemi pjesë e Prishtinës është shumë e rëndësishme. Pra, kemi arritur progres duke e kaluar një raund, por ne jemi të fokusuar ta përsërisim të njëjtën gjë ashtu siç bëmë edhe me skuadrën nga Gjibraltari”, ka thënë Arago, duke shtuar: “Jemi duke e marrë çdo ndeshje seriozisht, pa i lejuar vetes luksin të mendojmë se kjo apo ajo skuadër ka diçka më shumë apo më pak cilësi apo gjëra të tilla, sepse ne besojmë në vetën tonë dhe përpara e kemi rastin e madh të vërtetojmë që nëpërmjet Prishtinës në Kosovë luhet futboll dhe që ka shumë rëndësi për popullin këtu. Thjesht, është shumë rast i mirë për ne të luftojmë dhe të bindim që jorastësisht kemi kaluar një raund më parë dhe që meritojmë edhe më shumë se kaq”.

Për faqen zyrtare të Prishtinës foli edhe sulmuesi Ahmet Jonuzi, i cili ka bërë me dije se kryeqytetasit kërkojnë të kalojnë edhe këtë rreth në garën e Ligës së Evropës.

“Meqë e kemi kaluar raundin preliminar, tani është shumë e rëndësishme për ne që të paraqitemi sa më denjësisht edhe në raundin e parë duke shpresuar se do të na përcjellë suksesi edhe në këto dy ndeshje të radhës. Kemi përballë kundërshtar që nuk është për t’u nënvlerësuar. Ma merr mendja shumë më i fortë se Evropa por, sido që të jetë, ne do ta respektojmë çfarëdo kundërshtari që do të jetë, më i fortë apo më i dobët, nuk ka rëndësi. Ndërsa ne do të udhëtojmë ta japim maksimumin me qëllim të kalimit të raundit. Ky është synimi ynë, të paktën”, ka thënë Januzi.

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i Belgjikës, Eden Hazard ka zbuluar se në fëmijëri…