Arben Fetahu, anëtar i Bordit Ekzekutiv te KOK-ut
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, është emëruar anëtar i ri i Bordit Ekzekutiv (BE) të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).
Pikërisht BE ka miratuar unanimisht propozimin e Presidentit të KOK-ut, Ismet Krasniqi, deri në miratimin nga Asambleja e Punës së KOK-ut.
“Emërimi i Fetahut është vlerë e shtuar për KOK-un dhe jemi shumë të kënaqur që do ta kemi në mesin tonë. Së bashku do të vazhdojmë drejt projekteve të reja. Ashtu siç ka dhënë kontribut në avancimin e FBK-së, Arbeni do të japë edhe për KOK-un dhe gjithë lëvizjen olimpike”, ka thënë Presidenti Krasniqi.
Arben Fetahu është kryetar i FBK-së që nga viti 2018, duke pasuar Erolld Belegun, ndërsa më 2020 ishte rizgjedhur Kryetar i FBK-së në Kuvendin Zgjedhor.
Fetahu është gjithashtu anëtar i Bordit të FIBA Evropës, si dhe është zgjidhur nënkryetar i FIBA Europe Youth Commission për mandatin 2023-27, e po ashtu edhe nënkryetar i Komisionit Evropian për të rinj në FIBA, si dhe anëtar i komisionit ligjor në KOK.