Arben Gashi kërkon rinumërim në Prishtinë, thotë se ka pasur manipulim masiv edhe me votën e diasporës

09 mars 2025 | 10:39

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se procesi i numërimit të votave në Qendrat e Numërimit Komunal ka dështuar.

Ai ka shkruar në “Facebook” se për hir të ruajtjes së besimit në procesin demokratik, KQZ-ja duhet të vendosë për rinumërimin e të gjitha votave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Prishtinë.

“Siç po duket, procesi i numërimit në Qendrat e Numërimit Komunal ka dështuar. Ky dështim ka dëmtuar gjithashtu rëndë besimin në vërtetësinë e rezultatit zgjedhor. Për hir të ruajtjes së besimit në procesin demokratik, KQZ duhet të vendosë për rinumërimin e të gjitha votave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Prishtinë”, ka shkruar Gashi.

Ai ka thënë se një fenomen tjetër i vërejtur në këto zgjedhje është manipulimi masiv me votën e diasporës.

“Këto vota, siç po shihet, janë manipuluar sidomos brenda partive politike. Demokracia, ndër të tjera, është edhe besim në institucionet e zgjedhura. Vendi ka nevojë për institucione përfaqësuese dhe të besueshme”, ka shkruar Gashi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Administrata Trump po punon për finalizimin e një ndalimi të…