Arben Gashi: S’ka kuptim një koalicion LV-LDK pas deklaratave të Kurtit, opsioni i parë zgjedhjet

18 shkurt 2025 | 13:16

Rezultati zgjedhor i 9 shkurtit do ta ndërlikojë formimin e institucioneve të reja.

Arben Gashi që ishte shef i grupit parlamentar të LDK-së në legjislaturën e fundit e sheh të vështirë formimin e qeverisë së re, pasi, sipas tij, s’ka shumicë në asnjërën anë.

Megjithatë, Gashi ka thënë se Vetëvendosje e ka në dorë të gjejë partnerë për ta krijuar qeverinë.

“Vështirë është me pas qeveri në të gjitha opsionet, sepse s’ka shumicë në asnjërën anë. Duhet pritur rezultatin, por është shumë vështirë me krijuar qeverinë. Vetëvendosje e ka në dorë me krijuar koalicionin”, ka thënë Gashi për “IndeksOnline”.

I pyetur se a do t’i përgjigjeshin pozitivisht ftesës së mundshme të Kurtit, për bashkëqeverisje mes LV-së dhe LDK-së, Gashi ka thënë se s’ka kuptim një marrëveshje mes dy subjekteve, pas deklaratave të Kurtit.

Në situatën aktuale, ai ka thënë se opsioni i parë janë zgjedhjet.

“Nuk ka kuptim qeverisja e LDK-së me Vetëvendosjen pas deklaratave të Kurtit. Opsioni i parë sapo shoh janë zgjedhjet, por të presim numërimin e votave dhe të shohim çka kanë vendosur qytetarët në kuti”, ka thënë Gashi.

Kujtojmë se Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit pa llogaritur votat me kusht dhe të diasporës ka fituar 40.84% të votave, e pasuar nga PDK-ja më 22.05%, LDK-ja më 17.67% dhe AAK më 7.45% të votave.

Tri partitë opozitare kanë deklaruar se nuk do të futen në koalicion me LV-në që do ta ketë të vështirë të formojë qeverinë e re vetëm me minoritetet jo serbe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Procesi i numërimit të votave për deputet në zgjedhjet e…