Arben Zharku pjesë e jurisë në festivalin e Rotterdamit
Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK), Arben Zharku, do të jetë pjesë e jurisë së festivalit ndërkombëtar të filmit të Rotterdamit, në programin e industrisë të CineMart, ku edhe do të ndahet çmimi i Eurimages.
Çmimi për Zhvillimin e Bashkëpunimit Eurimages është një çmim vjetor prej 20,000 euro, që i jepet një prej projekteve të përzgjedhura, që është ose do të jetë një bashkëprodhim evropian.
Këtë vit rreth 16 projekte filmike kanë aplikuar për çmimin Eurimages dhe përveç drejtorit të QKK-së, pjesë e jurisë është edhe Dorien van de Pas dhe Rachel Ellis.
Tregu ndërkombëtar i bashkëprodhimit, CineMart, ka krijuar këtë platformë për t’u ofruar filmbërësve mundësinë e prezentimit të ideve e tyre në industrinë e filmit ndërkombëtar dhe për të gjetur lidhjet e duhura për financim.
Ky treg do të ndajë edhe tri çmime tjera siç janë: ARTE International Prize, Wouter Barendrecht Award dhe Filmmore Post Production Award.