Arbër Hoxha në formacionin e javës në Kroaci
Arbër Hoxha i ka bërë një start fantastik këtij sezoni me fanellën e Dinamo Zagreb, duke shënuar në secilën nga dy ndeshjet e para që ka luajtur ekipi kampion në fuqi i Kroacisë.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka qenë protagonisti i fitoreve si ndaj Istra, ashtu edhe ndaj Osijek, duke tundur rrjetën dhe duke qenë një nga më të mirët në fushën e lojës.
Sipas statistikave të “SOFASCORE”, Hoxha është vlerësuar me notën 7,6 për paraqitjen në ndeshjen e mbrëmshme, ku jo vetëm tundi rrjetën, por edhe ishte një rrezik konstant për prapavijën kundërshtare, duke kompletuar me sukses të dy driblimet që tentoi.
Kësisoj, futbollisti 25-vjeçar është zgjedhur në formacionin e javës në bazë të notës së tij statistikore, duke treguar menjëherë se është një prej lojtarëve që do të ketë rol protagonisti në këtë edicion në Kroaci.