Arbër Vllahiu emërohet shef i misionit diplomatik të Kosovës në Çeki
Ish-kandidati i AAK-së për kryetar të PrishtinësArbër Vllahiu, do të jetë shef i misionit diplomatik të Kosovës në Çeki.
Lajmin e ka bërë të ditur këshilltarja e kryeministrit Ramush Haradinaj, Diellza Hoti, e cila i ka uruar atij postin e ri.
“Urime detyra e re Arbër Vllahiu ; i ngarkuar me punë diplomatike në Pragë të Çekisë”, ka shkruar ajo në profilin e vet në “Facebook”.
Vllahiu ka qenë ish-këshilltar i presidentes Atifete Jahjaga, ndërkohe para pak kohësh i është bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Pragë ka filluar punën nga qershori i vitit 2010. Çekia ka njohur pavarësinë e Kosovës në maj të vitit 2008.
Por, ky vendim i Qeverisë së Çekisë nuk njihet nga presidentët e deritashëm çekë, të cilët kanë refuzuar edhe t’i presin diplomatët kosovarë në zyrat e tyre për dorëzimin e kredencialeve. Kjo është edhe arsyeja që Kosova atje nuk përfaqësohet në rang ambasadori, por me të ngarkuar me punë.