Arbresha Grabovci-Nixha: Aktrimi të mësohet në shkolla sikurse lënda e muzikës
Në emisionin “#Hashtag” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini është diskutuar për aktorët dhe ndryshimet e profesionit.
Profesoresha në Fakultetin e Arteve, Arbresha Grabovci-Nixha thotë se problemi i aktrimit në Kosovë ka të bëjë me shkollat.
Ajo thotë se për aktrimin duhet të mësohet qysh në shkollën fillore ashtu siç mësohet edhe lënda e muzikës.
Grabovci-Nixha ka vlerësuar vizitën që kryeministri Kurti i ka bërë teatrit bashkë me të bijën e tij për të parë një shfaqje.
“Shpresoj se nuk e ka pasur vetëm sa “për sy e faqe””, tha ajo.
Profesoresha e artit thotë se prindërit duhet t’i edukojnë fëmijët qysh në fëmijëri duke i dërguar në ekspozita apo teatër.
Grabovci-Nixha thotë se në botën e zhvilluar liderët politikë punësojnë në kabinetin e tyre aktorë dhe regjisorë dhe sipas saj ekspresionin ata e kanë pikërisht falë asistencës së tyre.
Ajo thotë se në Kosova aktorët hezitojnë të bëjnë një punë të dytë për shkak të egos.
“Më përpara presin një rol për një vit se që punojnë kamerierë apo ndonjë punë tjetër për shkak të egos që e kemi ne”, tha ndër të tjera Grabovci-Nixha.