Ardian Gjini: Mimoza Kusari mi la 13 milionë euro borxhe
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, pasditen e së premtes mbajti konference për media ku tregoi mbi gjendjen financiare të Komunës së Gjakovës.
Ai deklaroi se publikimi i gjendjes ka qenë një premtim elektoral ndërsa premtoi se nuk do t’i lodhë qytetarët duke ua përmendur borxhet vazhdimisht.
Gjini deklaroi se në total ka trashëguar borxh në vlerë prej 13 milionë e 330 mijë euro nga administrata e kaluar e drejtuar nga Mimoza Kusari- Lila.
“Totali i borxheve që i trashëgon administrata ime janë 13 milionë e 330 mijë euro fiks. Këto do të dalin edhe në raporte financiare më vonë për shkak se në këto jam bazu dhe dokumentacioni do të bëhet publik për të gjithë”, deklaroi Gjini.
Sipas tij, prej kësaj shume 9 milionë e 73 mijë euro janë borxhe të rrjedhshme që kanë të bëjnë me kontrata që kanë filluar, por janë paguar pjesshëm.
“Borxhe të faturuara të Komunës janë 4 milionë e 258 mijë euro prej të cilave 1 milionë e 820 mijë janë shpronësime, tjerat janë kontrata që nuk janë paguar ose borxhe të tjera që janë në zyre të ndryshme të Komunës. Ndërsa 9 milionë e 73 mijë euro janë borxhe të rrjedhshme, të cilat janë përmendur me vite prej të kaluarës e që janë të njëjta, që kanë të bëjnë me kontratat që kanë filluar e që janë paguar pjesshëm. Janë kontrata kryesisht të infrastrukturës që kanë nis mirëpo borxhet mbesin deri në vitin 2021 sepse kështu është nis procesi”, tha Gjini.
Gjini e quajti “keqmenaxhim të buxhetit dhe mospërgjegjësi” mos pagesat e borxheve të komunës pasi që kjo komunë, sipas tij, çdo vit kishte suficit buxhetor.
“Në vitin 2017 suficiti ka mbërritur në 1 milion 830 mijë euro, prej tyre 635 mijë euro grant dhe 1 milion e 194 mijë euro të hyra vetanake”, shtoi ai.
Gjini tha se administrata e tij tashmë po harton planin për pagesën e këtyre borxheve, por premtoi se investimet nuk do të ndalen.
Ai tha se është fat i Komunës që shumica prej projekteve do të financohen nga Qeveria e Kosovës dhe kjo garanton mbylljen e këtyre projekteve me sukses. /Kallxo/