Ardita Sinani rikonfirmohet kryetare e PVD-së në Preshevë
Kryetarja aktuale e Partisë për Veprim Demokratik, dega në Preshevë, Ardita Sinani është rikonfirmuar si kryetare e kësaj partie nga anëtarët e Kuvendit të Degës së PVD-së në Preshevë.
Kështu ka bërë të ditur vet Sinani në llogarinë e vet në “Facebook”.
Sinani ka falënderuar të gjithë anëtarët për besimin e dhënë.
“Jam e nderuar dhe mirënjohëse deri në përulje ndaj çdo anëtari të Kuvendit të Degës së Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë që sonte në mënyrë unanime më rikonfirmuan për kryetare të Degës”, ka shkruar Sinani.
Njoftimi i plotë i saj:
E nderuar dhe mirënjohëse deri në përulje ndaj çdo anëtari të Kuvendit të Degës së Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë që sonte në mënyrë unanime më rikonfirmuan për kryetare të Degës.
Mbi të gjitha rikonfirmimi nga anëtarët e Kuvendit që unë të vazhdoj të jem në krye të Degës, është shumëfish më shumë përgjegjësi.
Shfrytëzoj rastin që t’i uroj për zgjedhjen e tyre në Kryesinë e Degës edhe 15 anëtarët tjerë, me të cilët bashkarisht do të formojmë ekipin udhëheqës të strukturës së PVD-së në Preshevë, në mënyrë që shumë shpejt të formojmë edhe ekipin që do të udhëheq me Komunën e Preshevës.
Do të jemi të palëkundur që të përballemi me sfidat politike që na paraprijnë.
E garancën që me sukses t’i bëjmë ballë sfidave që na presin, përveç gatishmërisë së përbashkët për angazhim, do të na udhëheq edhe përgjegjësia e ruajtjes së historisë së subjektit që për më shumë se tri dekada ruajti primatin e organizimit të vetëm politik i cili tubon shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.
Subjekt ky që në çdo periudhë, e sidomos në ato më të vështirat për popullin tonë ishte përherë pranë qytetarëve dhe në ballë të sfidave.
Edhe tash, në përgjithësi Lugina e në veçanti komuna e Preshevës gjendet në një qorrsokak politik, nga i cili duhet të dalim sa më shpejtë që është e mundur.
Preshevës pushteti duhet t’i rikthehet qytetarëve.
E të çrrënjoset nga dirigjimi, nënshtrimi e shantazhimi nga interesat e parapolitikës së Beogradit. Formë e qeverisjes e cila viteve të fundit e karakterizon komunën tonë.
Por këtë nuk do të mund ta arrij vet, madje as vetëm me ekipin që sonte mori bekimin e udhëheqjes së Degës së PVD-së.
Për këtë na nevojitet kontributi e angazhimi i gjithsecilit bashkë. Kontribut të cilin jemi të gatshëm ta mirëpresin në çdo kohë e nga të gjithë ju, qytetarë të nderuar.
Komuna e Preshevës nuk meriton përfaqësimin që e ka. As izolimin. Sidomos nga Tirana e Prishtina.
Preshevës i duhet sa më shumë Kosovë e Shqipëri, e koordinim i përhershëm me Prishtinën e Tiranën.
Synim të cilin mund ta arrijmë bashkë, e synim për të cilin do të jem e gatshme të jem në ballë të saj.
Me ndihmën e Kryesisë, anëtarëve e simpatizantëve të Partisë për Veprim Demokratik. Me ndihmën e çdo qytetari të komunës së Preshevës.
Na prift e mbara!