Argjend Fetahu jep dorëheqje nga të gjitha pozitat në AAK
Argjend Fetahu ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në AAK.
Lajmin e ka bërë me dije vet Fetahu përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Fetahu ka qenë kyetar i nëndegës së AAK-së në bashkësinë e parë lokal në Gjakovë.
Ai ka bërë me dije arsyet e dorëheqjes.
“Arsyet e dorëheqjes janë të ndryshme.
-Mosrespektimi i meritokracisë brenda strukturave në degën e AAK-së në Gjakovë.
-Ndërhyrjet në konkurse e punësime.
-Ndërhyrjet në përzgjedhjen e drejtorit të ndërmarrjes publike “Qabrati”, ku është përzgjedhur personi i cili nuk i plotëson kushtet, ashtu siç e kërkon legjislacioni në fuqi. Njëra ndër pikat kërkohet diplomë universitare, gjë të cilën personi i zgjedhur nuk e posedon. Këtë rast e kam dërguar edhe në gjykatë. -Mosrealizimi i projekteve në bashkësinë e parë lokale, si rrugë, ndriçim, kanalizime, etj., për të cilat para katër viteve kryetari aktual i komunës ua kishte premtuar qytetarëve”, ka shkruar Fetahu.
Postimi i plotë i tij:
Të nderuar qytetarë,
Të nderuar anëtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës;
Ju njoftoj se sot kam dhënë Dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të nëndegës së AAK-së në bashkësinë e parë lokal në Gjakovë, nga pozita e anëtarit të Këshillit Drejtues të AAK-së në Gjakovë dhe nga anëtarësia e AAK-së.
Arsyet e dorëheqjes janë të ndryshme.
-Mosrespektimi i meritokracisë brenda strukturave në degën e AAK-së në Gjakovë.
-Ndërhyrjet në konkurse e punësime.
-Ndërhyrjet në përzgjedhjen e drejtorit të ndërmarrjes publike “Qabrati”, ku është përzgjedhur personi i cili nuk i plotëson kushtet, ashtu siç e kërkon legjislacioni në fuqi. Njëra ndër pikat kërkohet diplomë universitare, gjë të cilën personi i zgjedhur nuk e posedon. Këtë rast e kam dërguar edhe në gjykatë.
-Mosrealizimi i projekteve në bashkësinë e parë lokale, si rrugë, ndriçim, kanalizime, etj., për të cilat para katër viteve kryetari aktual i komunës ua kishte premtuar qytetarëve. Premtimet kanë vazhduar edhe gjatë zgjedhjeve nacionale me qëllimin që t’ua grabis votën qytetarëve të kësaj bashkësie lokale që është më e madhja në qytet “Qerim – Qendër”.
Si kryetar i nëndegës kam dërguar me dhjetëra kërkesa zyrtare në Komunën e Gjakovës dhe nuk kam marrë përgjigje.
Prandaj qytetarët e lagjes janë të revoltuar ,ata së bashku me mua kanë humbur shpresën dhe besimin te AAK-ja dhe kryetari i komunës.
Unë jam lindur dhe rritur në ketë bashkësi lokale, dhe kam marrë besimin me votë që të jem zëri i tyre për bashkësinë e parë lokale në Gjakovë.
E kjo është një nder arsyet që unë kam vendosur të jap dorëheqje të parevokueshme nga AAK-ja si: anëtar i AAK-së, kryetar në bashkësinë e parë lokal, anëtar i Këshillit Drejtues në degën e AAK-së në Gjakovë, ku të dy pozitat e fundit i kam fituar me votë.
Falënderoj anëtarësinë e AAK-së që bëmë gjashtë vite rrugëtim së bashku dhe e cila gjithmonë ka qenë në përkrahje të punëve të mira, por hapësira për t’ju shërbyer ishte e kufizuar, e barrikaduar.
Ju premtoj se do të jem aktiv në jetën politike për të realizuar ndryshimet e nevojshme në komunën tonë.