Argjentina fiton me shumë mund ndaj Perusë, Brazili ndalet nga Uruguai
Argjentina është shumë afër të sigurojë kualifikimin në Kupën e Botës 2026 pas fitores minimale ndaj Perusë, e në anën tjetër, Brazili u ndal me barazim 1:1 nga Uruguai.
Argjentina e Lionel Scalonit e dominoi tërësisht takimin që u zhvillua në stadiumin Alberto Armando në Buenos Aires.
Ndonëse posedimi ishte i njëanshëm, kampionët në fuqi të botës realizuan vetëm tri goditje në portë për 90 minuta.
Goli i Lautaro Martinez vendosi për tri pikët e Argjentinës.
Ylli i Interit shënoi gol të jashtëzakonshëm për 1:0 në minutën e 55-të, kur u asistua nga Lionel Messi.
Deri në fund nuk pati ndryshim dhe Argjentina mori tre pikët e radhës, duke shkuar në kuotën e 25 pikëve, pesë pikë më shumë se vendi i dytë që mbahet nga Uruguai.
Brazili në anën tjetër nuk po arrin të bindë assesi, pasi tani mezi ka arritur një barazim nga Uruguait, pranë shikuesve të tyre.
Pjesa e parë e takimit nuk prodhoi asnjë gol, derisa në 45 minutat në vazhdim të dy kombëtaret shënuan nga një herë.
Uruguai doli në epërsi me golin e yllit të Real Madridit, Fede Valverde, kur shënoi për 1:0 në minutën e 55-të.
Kundërpërgjigja e Brazilit erdhi shtatë minuta më vonë, me Gerson që barazoi rezultatin në 1:1.
Me barazim përfundoi ndeshja dhe Uruguai mbetet në vendin e dytë, me 20 pikë të grumbulluara në 12 xhiro, ndërsa Brazili renditet në vendin e pestë me 18 pikë.