Arian Qallaku: Rahoveci synon sukseset e edicionit të kaluar
KB Rahoveci edicionin e kaluar ishte befasia më e bukur e kampionatit. Vreshtarët arritën të kualifikohen në finale të “play-off”-it dhe Kupës. Rahoveci u dallua me një organizim të mirë, kurse në edicionin e ri hyn edhe më fuqishëm.
Rahoveci është përforcuar për edicionin e ri, ku për herë të parë do të luajnë edhe në garat evropiane. Sidoqoftë, edhe garat vendore janë shumë të rëndësishme. Pasi nuk arritën të fitojnë ndaj Sigal Prishtinës në Superkupë, do të mundohen ta bëjnë këtë në xhiron e parë.
Basketbollisti i Rahovecit, Arian Qallaku flet për përgatitjet dhe edicionin e ri. “Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Ato kanë shkuar sipas planit. Synimet janë të qarta, të përsëriten sukseset e edicionit të kaluar dhe të kemi paraqitje sa më të mira, si në garat vendore, ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Ndeshjen me Prishtinën e kemi analizuar nga ajo e kaluar dhe do të mundohemi që të mos i përsëritim gabimet e ndeshjes së Superkupës”, është shprehur Qallaku për faqen zyrtare të FBK-së.
Ndeshja Rahoveci-Sigal Prishtina zhvillohet të dielën nga ora 19:00.