Arif Molliqi boton vepër të re poetike
Ka dalë nga shtypi, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”, vepra më e re me poezi e autorit Arif Molliqi, me titull Im atë të shtunave më blinte këpucë llastiku. Sipas botuesit të veprës, Berat Armagedoni, Arifi vazhdon të shkruajë me varg të lirë për lirinë e Kosovës, për çmimin e lirisë, për njerëzit më të dashur që s’i ka më dhe vazhdon të ndiejë mall edhe për ata që i ka ende gjallë. Vazhdon të shqetësohet për gjeografinë e Kosovës dhe për gjeopolitikën e saj. E ngacmojnë edhe disa tema të vogla, por të përditshme sociopolitike që, sado që tërhiqen me forcë, vetëm zgjaten si llastiku dhe nuk këputen nga jeta jonë. Veprën mund ta gjeni në librarinë Artini dhe Dukagjini në Prishtinë.
Më poshtë shënimi për veprën në kapakun e pasmë i shkruar nga botuesi.
Arif Molliqi (1953), nga Lluka e Epërme e Deçanit, veprimtarinë letrare që disa dekada vazhdon ta kultivojë në Gjermani pas vizitave që ia bën Kosovës një ose dy herë në vit. Edhe para se ta shkelë tokën gjermane ka shkruar dhe botuar në Kosovë, në vitet ’80, në gazetën Rilindja dhe Zëri i rinisë, më së shpeshti satira dhe humor të zi, me nofkat Boksh Baruti, Topuz Bërylli dhe me ndonjë tjetër. Ka botuar edhe libra me poezi, me prozë, me drama. Edhe monografi shkencore. Nder të madh i ka bërë edhe fshatit të vet, për të cilin ka botuar monografinë Lluka e Epërme ndër shekuj. Ka botuar libra edhe me skica, meditime dhe opinione. Me ironinë bashkudhëton në shkrime letrare që prej fillimit. E njeh edhe publicistikën e përbërë, por emocionet vazhdon t’i shkrijë dhe t’i shtrijë në poezi. I kam lexuar të gjithë librat e tij, prandaj mund të bëj një krahasim të krijimtarisë së tij poetike të vonshme me të atë të mëhershme. Ky libër, me titull Im atë të shtunave më blinte këpucë llastiku, mund të them se është më i pjekur, më i arrirë se të mëparshmit, por nuk mund të them se këtë libër e ka shkruar për shkak se është në prag të shtatëdhjetë vjetëve, se ka bërë përvojë më të gjatë në artin e fjalës. Mund të jetë edhe kjo. Por, ajo çfarë vërehet gjatë leximit të këtij libri është pajisja e poezive me figura stilistike të zgjedhura dhe të dendura, gjithashtu edhe përzgjedhja e temave dhe sistemimi i tyre në cikle. Arifi vazhdon të shkruajë me varg të lirë për lirinë e Kosovës, për çmimin e lirisë, për njerëzit më të dashur që s’i ka më dhe vazhdon të ndiejë mall edhe për ata që i ka ende gjallë. Vazhdon të shqetësohet për gjeografinë e Kosovës dhe për gjeopolitikën e saj. E ngacmojnë edhe disa tema të vogla, por të përditshme sociopolitike që, sado që tërhiqen me forcë, vetëm zgjaten si llastiku dhe nuk këputen nga jeta jonë.
Armagedoni
POEZI NGA LIBRI I SAPOBOTUAR
Motiv tjetër
në ditëlindjen e gjashtëdhjetë
më dolën dhëmbët e rinj
që m’i mbolli doktori
desha ta bëj provën e kafshimit
veç bardhë e zi
pa ngjyra
mbetën gjurmët e reja
kur nuk dolën dhëmbët e rinj
bërtita aq shumë
sa në ballë
dolën rrudhat e reja
nëpër planetin e rrumbullakët
grabitqarët u shtuan mbi kokën time
duke i mprehur dhëmbët
për ta ngrënë kohën e rreme
Ritual ndryshe
luftën e harruam
asnjë vdekjeje nuk po na kalon për zemër
çuditërisht
duhet të ketë ndodhur diçka
derisa u dashuruam në vetvete
për disa njerëz vdekja
është mbi vdekjen e tjetrit
derisa hap varre nga lart
varrmihësit le të zbresin poshtë
nga një stinë në tjetrën
s’rritet më liria
që po ecën mbi kukëza
çdo ditë në Kosovë
matim gjatësinë e shtatit
as dy metra tokë për vdekje
nuk janë të sigurta
se të gjallët me litar në dorë
po na e zvogëlojnë varrin
Tingujt e papërfunduar të kitarës
(kitaristit të rok grupit ‘Purgatori’, Valton Berishës)
“Ka shumë si Frederiku, s’ka asnjë si ai”
thotë miku im poet Adem Gashi
ka shumë si Valtoni po s’ishte asnjë si ai
ishte i dashur e i mirë bre
para dashurisë së tij
u lig loti ynë
nga kjo ikje e tij e pakuptimtë
atëherë kur tingujt e kitarës
s’e kishin përfunduar këngën
ajo mbeti përgjysmë
notat ranë nga çelësi i pentagramit
tingujt e kitarës t’u ndalën
kur një ngjyrë e etur t’erdhi në fytyrë
një mjegull t’i mbulojë shikimet
e vdekja tinëzisht t’u endë gjakut
s’di sonte në këtë natë
ç’emër t’i vë këngës së ardhshme veç:
Valton Berisha mor ku je
të thërret kitara me piskamë…
e unë pyes në ç’vend bie ky shi
përveç n’sytë e trishtuar që na i solli terri
bashkë me moshën e papërfunduar
që na erdhi në këtë stinë
me borën e bardhë dhe të ftohtë
duke e dëgjuar kitarën tënde
po e dëgjonim çdo melodi çdo tingull që thoshte:
ka shumë si Valtoni, po s’ishte asnjë si ai
ishe i dashur e i mirë bre…
Nëna ime, heroina ime
ajo
na lindi ne të shtatë fëmijët
na rriti pa mjek në fshat
as në qytet s’kishte ndonjë
kur e kishim kollën e keqe
apo fruthin
rrinte gjithë natën zgjuar
duke na fërkuar ballin
babai s’kishte kohë t’i ndihmonte
rrinte me kaçakët në mal
për festat fetare
(se ato kombëtare ishin të ndaluara)
nëna rrinte gjithë natën zgjuar
duke na pastruar rrobat e arnuara
çorapët e grisura prej leshi na i rrotonte
as kur lodhej nuk na nemte
nuk na rrihte as kur bënim sherr
qortimi i saj vinte nga dashuria
kurrë nuk është ngopur me bukë
hisen e vet na e jepte ne
mollën që e ruante në arkën e nusërisë
e ndante në shtatë pjesë
në fytyrën e saj magjike
herë-herë i fluturonte gëzimi
kur na numëronte të shtatë fëmijëve
nëna ime
heroina ime
Kur shkoja te dajat[1]
për ato ditët pa datë
te karakolli n’Qeste të Lloqanit
vreshtat s’piqeshin kurrë
as misri
thonë u binte bryma e urisë
sa herë shkonim te dajat me nënën
andej nga Qesta
na ndalnin një tog ushtarësh
na kërkonin lejen e kalimit
për të hyrë në “Zonën kufitare”
ata ishin të frikësuar
nga qëndrimi i nënës sime
që kishte dy fëmijë për dore
të tretin e mbante në shpinë
kur e lexonin mbiemrin e nënës
u kujtohej se është motra e Zhujë Selmonit
atij nacionalistit
ushtari tjetër ulërinte me automatik në dorë
[1] Gjatë viteve 1945-1963 për të shkuar te dajat e mi, në fshatin Hulaj, nëna ime duhej të kishte një leje speciale për ne fëmijët dhe bashkëshortin, meqë ky fshat e kishte statutin e “Zonës kufitare”.