Arif Rexhmati kandidat i Bashës për Bashkinë e Kukësit, figuron edhe në listën e primareve të Berishës

23 gusht 2023 | 18:46

Situata brenda Partisë Demokratike është më kaotike se asnjëherë më parë, ku me shpalljen e emrave për primaret e zgjedhjeve vendore në Kukës nga fraksioni Berisha, PD-ja zyrtare ka shpallur një kandidaturë, që është ajo e Arif Rexhmatit.

Mirëpo, emri i këtij të fundit, figuron edhe në listën e gjashtë kandidatëve të primareve të Berishës!

Megjithatë, duket se vetë Rexhmati e ka vendosur drejtimin e tij dhe është ajo e kandidaturës nën logon e Partisë Demokratike dhe jo me koalicione të mundshme që Berishës mund t’i nevojiten për të qenë garues në Kukës.

“Ndonëse mbështes parimin e konkurrencës, gjykoj ashtu si shumë prej demokratëve, se futja në një proces primaresh kur ka mbetur vetëm një muaj nga zgjedhjet dhe kur situata e brendshme e demokratëve vazhdon të vuajë pasojat e konfliktualitetit dhe të fajësimit, me gjithë qëllimin e mirë në vetvete, nuk i shërben konsolidimit të strukturave dhe gatishmërisë së tyre për fushatën”, shkruan vetë Rexhmati në një deklaratë për mediat që ka lëshuar Dega e PD-së Kukës.

369874566_683107807189691_1990438015803228622_n.jpg

Më tej, ai ka shtuar se hatërmbetjet e pas votimit krijojnë përçarje dhe jo bashkim të anëtarësisë, ndërsa besueshmëria e procesit jo vetëm që nuk jep garanci për bashkim, por mund të jetë burim konflikti gjatë dhe pas procesit, me dëme te pariparueshme për rezultatin në zgjedhje.

Nuk dihet ndërkaq një qëndrim i qartë i kampit Berisha sa i takon çështjes, kur minimalisht duket se prej listës së tyre ka ikur një kandidat primaresh dhe duhet parë tashmë nëse fraksioni do t’i bashkohet apo jo logos zyrtare të PD-së për të rimarrë drejtimin e Kukësit.

Berisha shpall primare të dielën

Kryesia e fraksionit Berisha në Partinë Demokratike ka organizuar punën për zgjedhjet e reja në Bashkinë e Kukësit, duke rezultuar përfundimisht edhe në një listë me gjashtë kandidatë për të qenë pjesë e garës, ku përmes primareve do të zgjidhet edhe garuesi i 24 shtatorit.

Sipas një njoftimi për shtyp, primaret do të mbahen të dielën e 27 gushtit dhe gjashtë kandidatë do të jenë pjesë e listës, për t’u votuar nga dega e Kukësit.

Siç bëhet me dije, dega Kukës pas mbledhjes së Kryesisë realizuar me drejtuesin politik të qarkut në datën 16 gusht 2023, ka mbledhur kandidaturat për primaret për zgjedhjet vendore të datës 24 Shtator 2023.

Dega ka sjellë 10 propozime të cilat janë kontaktuar nga Sekretariati Organizativ dhe janë ftuar të plotësojnë dokumentacionin e kandididimit për Primaret.

Deri sot gjithsesi, në afatin e fundit për pranimin e dokumentacionit kanë plotësuar formularët gjashtë kandidatë nga te cilët pesë janë propozuar nga dega dhe një është vetëpropozim.

Në listë bëjnë pjesë Ardian Elezi, Arif Rexhmati, Emri Vata, Gëzim Shehu, Uran Cengu dhe Ylber Zeleni.

640-0-1692802824x987-6-843.jpg

Katër prej kandidatëve vijnë nga fusha e drejtësisë, një nga agronomia dhe një nga inxhinieria.

E gjitha ndërkaq është bërë publike pas dërëheqjes së kandidatit të shkuar në zgjedhjet e 14 majit, Admir Sinamati, i cili e bëri me dije vendimin sot.

Dorëheqja e Sinamatit

Admir Sinamati, kandidati demokrat nën logon e koalicionit Bashkë Fitojmë për zgjedhjet vendore të Bashkisë Kukës më 14 maj, ka zgjedhur të heqë dorë nga rikandidimi i tij në rivotimet që priten në mbahen në 24 shtator, pas shkarkimit të Safet Gjicit nga posti.

Përmes një publikimi në media sociale, Sinamati ka bërë me dije vendimin.

“Fillimisht shpreh kënaqësinë që prej kaq kohësh jemi bashkë të rreshtuar në mbrojtje të interesave të qytetarëve kuksianë, duke bërë prezent situata dhe denoncuar hapur e me forcë fenomene të dëmshme të prodhuara nga korrupsioni, injoranca dhe përbuzja qeveritare”, shkruan ai së pari, duke falënderuar simpatizantët për mbështetjen.

Më tej, ai ka shtuar se pavarësisht se nuk arriti të zgjidhet kryetar në votimet e 14 majit, vota e qytetarëve tregoi se në Kukës ka shpresë dhe ka rezistencë e besim të qytetarëve për të rrëzuar Qeverinë.

“Unë u përfshiva në betejën e 14 Majit 2023 në respekt të vetes, familjes time, Kukësit dhe Shqipërisë duke qenë i bindur se vetëm me aktivitet dhe kontribut proaktiv kundër së keqes dhe tiranisë së korrupsionit bëjmë detyrën patriotike, shërbimin intelektual dhe njerëzor, ndaj vendit dhe njerëzve tanë”, ka vijuar ai më tej.

Mbi arsyet, ai ka thënë fillimisht se lidhet me faktin se Partia Socialiste ka hedhur në betejë një kandidat tejet të ndryshëm nga ai i kaluari, Safet Gjici dhe situata për opozitën është tashmë më favorizuese në Kukës.

Nga radhët e demokratëve ka tashmë një numër të madh kandidatësh optimistë për përfshirje në kandidim sipas tij dhe besimin në fitore, duke përmendur edhe bashkimin me të djathtën që mban vulën e PD-së.

“Duke i uruar secilit nga kandidatëve suksese në primare, dëshiroj të përzgjidhet më i miri/a në mënyrë që jo vetëm të sigurohet fitorja e shumëpritur e Bashkisë por edhe të kemi garanci për një qeverisje të drejtë, të aftë e njerëzore, si dhe në karrigen e kryebashkiakut të ulet një person që nuk ka bërë apo nuk bën kompromise/pazare me mundin dhe djersën e demokratëve”, e përmbyll ai, duke ftuar të gjithë të jenë pjesë e procesit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot…