Arifaj: Dialogu terren i gabuar për garë politike
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës e thirrur nga kryeministri Haradinaj për votim të ekipit qeveritar të negociatave ka pasur për qëllim që të shtyjë seancën e opozitës. Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri në “Rubikon” të “KTV”-së ka thënë se kjo u bë që t’i hap rrugën presidentit Hashim Thaçi që të premten, më 7 shtator, të shkojë në Bruksel për të zhvilluar bisedimet me homologun serb, Aleksandar Vuçiq.
Në emision, Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se në dialog nuk do të bisedohet për Ujmanin dhe Mitrovicën.
“Liqeni i Ujmanit dhe qyteti i Mitrovicës janë të Kosovës dhe asnjëherë nuk do të diskutohet për to”, ka thënë Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“E kuptoj që është garë politike por është duke u bërë në terren të gabuar. Nuk është dialogu vendi ku duhet bërë garë politike. Arritja e një marrëveshje paqësore me Serbinë është në interes për Kosovën. Serbia nuk është e interesuar për dialog dhe tërë kohën mundohet të gjejë arsye që ta fajësojë Kosovën për dialogun”, ka thënë Arifaj duke përmendur seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku deputetët e opozitës nuk morën pjesë në seancën e thirrur nga pozita.
Ai iu drejtua deputetit të Vetëvendosjes, Liburn Aliu duke i thënë se po i ikin përgjegjësisë dhe për dialogun duhet të kenë unitet.
“Ne kemi unitet, por si të bashkohemi kur nuk e dimë se për çka të flasim”, iu përgjigj Aliu.