Arifaj: Dukagjinit nuk i duhet barazhi për Superligë

03 maj 2019 | 15:52

Sulmuesi Granit Arifaj ka bërë me dije se Dukagjini i Klinës po e mendon inkuadrimin e drejtpërdrejtë në Superligë pasi favorizohet nga pozita aktuale dhe orari në katër ndeshjet e fundit.

KF Dukagjini ka bërë një hap të madh në rrugëtimin drejt inkuadrimit në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, pasi në ndeshjen fundit e ka mposhtur Istogun (2-1) dhe falë humbjes së Besës nga Ramiz Sadiku është ngritur në pozitën e dytë në renditjen tabelore. Sulmuesi Granit Arifaj ka thënë për “Epokën e re” se këtë pozitë skuadra nga Klina nuk do ta lëshojë deri në fund të kampionatit dhe inkuadrimi në elitë do të ndodhë drejtpërdrejt dhe jo nëpërmjet barazhit. “Para vetes kemi edhe katër ndeshje, që të gjitha janë finale për skuadrën tonë. Jemi të përgatitur maksimalisht si nga ana fizike, po ashtu edhe nga ajo psikologjike që ta vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt inkuadrimit në elitë. Do ta mbajmë pozitën e dytë deri në fund dhe të inkuadrohemi drejtpërdrejt, pa pasur nevojë të luajmë në ndeshjet e barazhit”, ka thënë Arifaj.

Skuadra e Dukagjinit ka shtatë pikë më pak se skuadra e parë në tabelë, Vushtrria dhe kjo diferencë e pikëve mund të ndryshohet pasi në javën e 28 Arifaj paralajmëron fitore ndaj kryesuesve në Ligën e Parë. “Ndeshja me Vushtrrinë do të jetë ndeshje shumë e vështirë për të dyja skuadrat. Ata kanë një skuadër me kualitet të lartë, por ne si në çdo ndeshje tjetër hyjmë për fitore dhe besoj se do t’ia arrijmë qëllimit me një angazhim maksimal”, ka shtuar ai.

Ish-sulmuesi i Istogut, Lirisë, Drenicës dhe Feronikelit, Granit Arifaj, së bashku me Dukagjin Gashin, Mark Milicajn, Altin Merlakun dhe lojtarë të tjerë, e kanë lënë Superligën për Ligën e Parë për ta ndihmuar skuadrën e Dukagjinit për ta arritur synimin që ka për inkuadrim në Superligë. “Nuk kam qenë asnjëherë pishman që e kam zgjedhur këtë skuadër. Kjo zgjedhje do të na shpaguhet të gjithëve që e kemi lënë Superligën kur Dukagjini e siguron inkuadrimin në rangun më të lartë të futbollit në Kosovë”, ka shtuar ai.

Në xhiron e radhës Dukagjini i shkon Bashkimit, pastaj e pret Vushtrrinë. Në xhiron e parafundit i shkon 2 Korrikut në kryeqytet dhe në ndeshjen e fundit e pret Drenasin në Klinë.

/Veton ZYMBERI/  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i organizatës joqeveritare “Zëri Perëndimor i Kosovës”, Sali Bislimi,…