Arifi: Asociacioni do bëhet sipas Kushtetutës, garanton Qeveria e Kosovës
Shefi i ekipit për bisedime teknike me Serbinë, Avni Arifi, ka thënë se kërkesa e palëkundshme e Kosovës është që Serbia t’i zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Në “Info Magazine” të “Klan Kosovës” ai ka thënë se dy shtetet nuk kanë çfarë të bisedojnë më për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, meqë edhe Brukseli zyrtar e ka konfirmuar se ai do të formohet konform Kushtetutës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Ne kërkojmë që të takohemi shpejt dhe të flasim për energjinë. Është e papranueshme që kjo marrëveshje të mos respektohet, si edhe mbajtja e mbyllur e urës në Mitrovicë. Edhe mosndërtimi i pikë-kalimeve kufitare është i till. Ne nuk i thërrasim(serbët) në Bruksel që të flasim për Asociacionin, por për marrëveshje tjera që nuk po zbatohen. Në vijë formale ata nuk i përgjigjen Beogradit. Por në realitet sigurisht që kjo gjë do të ndodhë. Do të flasin me Beogradin. Por dokumenti do të vijë në Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe më pastaj do të kalojë në Gjykatën Kushtetuese. Pra do t’i kalojë të gjithë filterët e nevojshëm. Zyrtarët serbë mendojnë që Asociacioni do t’i kalojë edhe kompetencat e Republikës Serbe. Por ne, Qeveria e Kosovës, jemi garancë që kjo nuk do të ndodhë. Statuti dhe direktivat do të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese”, ka deklaruar Arifi.