Arifi-Krasniqi: Depozitat në Kosovë janë të siguruara
Drejtoresha menaxhuese e Fondit për Sigurimin e Depozitave në Kosovë (FSDK), Violeta Arifi-Krasniqi, ka thënë se mandati kryesor i institucionit që drejton është sigurimi i depozitave të personave fizikë dhe juridikë në bankat anëtare dhe kompensimi i depozitorëve të siguruar deri në limitin e sigurimit prej 5 000 eurosh brenda tridhjetë (30) ditëve në rast revokimit të licencës të ndonjë banke nga BQK-ja, sipas kritereve dhe limiteve të përcaktuara në LSD.
“FSDK-ja ka mandat të caktimit dhe arkëtimit të premive të sigurimit, investimit të fondit për sigurim të depozitave në bashkëpunimin me Bankën Qendrore të Kosovës për shkëmbim të informacionit, pjesëmarrjen me fonde, në bashkëpunim me BQK-në për zgjidhje të ndonjë banke anëtare në rast të transferimit të detyrimeve të siguruara, huamarrjen në rast të pamjaftueshmërisë së fondeve si dhe miratimin e legjislacionit sekondar dhe sanksioneve administrative”, ka treguar Arifi-Krasniqi për gazetën “Epoka e re”.
Ajo ka bërë me dije se më 30 qershor të këtij viti Fondi i Sigurimit të Depozitave ka arritur shumën prej 36 milionë eurosh pas pranimit të rregullt të premive të vazhdueshme të sigurimit nga bankat anëtare si burim kryesor i financimit.
Arifi-Krasniqi ka thënë se sistemi i sigurimit të depozitave në Kosovë është iniciuar si projekt zhvillimor nga BQK-ja me mbështetje të plotë nga Qeveria gjermane (përmes KfW-së) që nga viti 2007.
“Fillimisht është përkrahur hartimi i Ligjit për Sigurimin e Depozitave, ndërsa mbështetja për themelimin e SSD-së u formalizua me nënshkrimin e marrëveshjes trepalëshe të financimit dhe projektit në mes të Qeverisë së Kosovës (përmes MF), Qeverisë gjermane (përmes KfW-së) dhe FSDK-së në vitin 2012. Marrëveshja ka paraparë mbështetjen për themelimin e sistemit për sigurimin e depozitave në Kosovë përmes një kontributi në kapital si donacion për FSD-në në shumën totale prej 15.5 milionë eurosh, ku 11 milionë euro janë dhënë nga Qeveria e Kosovës (përmes MF), ndërsa Qeveria gjermane (përmes KfW) që ka siguruar 4.5 milionë euro kontribut në kapital dhe 0.5 milion euro në shërbime këshillimore”, ka thënë ajo.
Arifi-Krasniqi ka pohuar se si rezultat i suksesit të projektit fillestar është nënshkruar marrëveshja e dytë e financimit dhe projektit, në vitin 2013, me donacion në vlerë prej 2 milionë eurosh. “Kjo marrëveshje është nënshkruar nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Financave, Qeverisë gjermane (përmes KfW) dhe FSDK, për mbështetjen e rritjes së limitit të sigurimit nëpër faza: 3 000 euro (1. 1. 2014), 4 000 euro (1. 1. 2016) dhe 5 000 euro (1. 1. 2018)”, ka deklaruar Arifi-Krasniqi.
Ajo ka shtuar se deri më 31 mars 2018 totali i depozitave arriti në tre miliardë euro, ndërsa totali i depozitave të siguruara deri në limitin e sigurimit prej 5 000 euro ishte 727 milionë euro.
“Ngjashëm me trendët e viteve të kaluara, raportojmë rritjen e vazhdueshme të totalit të depozitave dhe atyre të siguruara. Kështu, më 31 mars 2018 totali i depozitave arriti në tre miliardë euro, ndërsa totali i depozitave të siguruara deri në limitin e sigurimit prej 5 000 eurosh ishte 727 milionë euro, ose 24 për qind të gjithsejtë depozitave në bankat anëtare. Gjithsejtë numri i depozituesve të siguruar, pra personave fizikë dhe juridikë, ishte 921,474 apo 98.6 për qind të numrit të përgjithshëm të depozituesve të bankave anëtare. Numri i depozituesve të cilët janë të mbuluar plotësisht deri në limitin e sigurimit të depozitave ishte 88.56 për qind, që do të thotë se 837 253 e depozituesve të siguruar kanë depozita deri në 5 000 euro. Përderisa 84 221 depozituesve të siguruar apo 9.01 për qind, kanë depozita më shumë se 5 000 euro. Ndërkaq, që nga themelimi i FSDK-së e deri më tani nuk ka pasur raste të mbylljes së ndonjë banke, prandaj edhe Fondi i FSDK-së nuk është aktivizuar për pagesën e depozitorëve”, është shprehur ajo.
Arifi-Krasniqi ka thënë se sistemi i Sigurimit të Depozitave në Kosovë është themeluar për të përmbushur dy qëllime të politikës publike, si mbrojtje e depozitarëve të vegjël nga humbja në rast të revokimit të licencës të ndonjë banke dhe mbështetjen e BQK-së për arritjen e qëllimit të saj për rritjen e sigurisë.
“FSDK është themeluar me Ligjin për Sigurimin e Depozitave për ta administruar Sistemin e Sigurimit të Depozitave në Kosovë. Sistemet e sigurimit të depozitave janë ndër shtyllat e rrjetit të sigurisë financiare, si rregullativës procedurale dhe mbikëqyrjes efektive, kreditorit të instancës së fundit, si dhe mekanizmave efektive të zgjidhjes së bankave. Sistemi i Sigurimit të Depozitave në Kosovë është themeluar për t’i përmbushur dy qëllime të politikës publike: mbrojtjen e depozitorëve të vegjël nga humbja në rast të revokimit të licencës të ndonjë banke dhe mbështetjen e BQK-së në arritjen e qëllimit të saj për rritjen e sigurisë, solvencës dhe funksionimit efikas të një sistemi stabil, të bazuar në ekonominë e tregut”, është shprehur Arifi-Krasniqi.
Ajo ka deklaruar se depozitorët nuk kanë asnjë detyrim të përmbushjes për të qenë të siguruar për depozitat tyre, pasi bankat janë anëtare të FSDK-së.
“Depozitorët s’kanë asnjë detyrim përmbushjeje për të qenë të siguruar nga Sistemi i Sigurimit të Depozitave në Kosovë, mjafton që të kenë një llogari bankare në ndonjërën bankë anëtare të FSDK-së. Sigurimi i depozitorëve vjen si rezultat i marrëdhënies kontraktuale në mes të depozitorit dhe bankave për llogaritë depozituese. Bankat janë anëtare të detyrueshme të FSDK-së dhe ky anëtarësim në sistemin e sigurimit të depozitave është automatik me rastin e licencimit nga BQK-ja. Prandaj, FSDK-ja siguron çdo person fizik dhe juridik që ka të deponuara para në bankat anëtare deri në limitin e sigurimit prej 5 000 eurosh. Sigurimi vlen në nivel të depozitorit për çdo bankë anëtare të FSDK-së. FSDK siguron personat fizikë dhe juridikë ndaras, deri në limitin e sigurimit prej 5 000 eurosh. Si shembull, nëse depozituesi ka dy llogari në të njëjtën bankë si ‘person fizik’ dhe ‘person juridik’ atëherë, në rast të tillë, depozitat e personit fizik dhe të personit juridik sigurohen ndaras, përkatësisht deri në 5 000 uro ‘si person fizik’ dhe deri në 5 000 euro si ‘person juridik’”, ka thënë ajo.
FSDK-ja ka hartuar udhëzuesin për depozitorët mbi procesin e kompensimit të depozitave
Drejtoresha menaxhuese e FSDK-së, Violeta Arifi-Krasniqi, ka thënë se FSDK-ja ka hartuar udhëzuesin për depozitorët mbi procesin e kompensimit të depozitave të siguruara.
“FSDK-ja do ta fillojë procesin e kompensimit menjëherë pas pranimit të vendimit nga BQK-ja për revokimin e licencës dhe fillimit të likuidimit të ndonjë banke anëtare, që në terminologjinë e sigurimit të depozitave njihet si ‘ngjarje e siguruar’. Afati kohor për kompensimin e depozitorëve deri në limitin e sigurimit prej 5 000 eurosh (në fuqi nga 1. 1. 2018) do të bëhet brenda 30 ditëve, me paraqitjen e dëshmisë së pronësisë dhe të identitetit nga ana e depozitorëve në mënyrë që ta pranojnë shumën e siguruar. Për të siguruar kompensim të shpejtë të depozitorëve, FSDK-ja do ta angazhojë Bankën Agjente për Pagesë (BAP) për rismbursim të shumës së kompensimit për depozitorët. BAP janë bankë(a) anëtare, që përmbushin kriteret procedurale të BQK-së dhe që kanë aftësi operacionale dhe organizative për ta ekzekutuar procesin e kompensimit në emër dhe për FSDK-në”, ka thënë ajo.
Sipas Arifi-Krasniqit, afati kohor maksimal i lejuar për depozitorët që të realizojnë të drejtën e marrjes së shumës së kompensimit është dy vjet pas shpalljes së njoftimit në lidhje me procesin e kompensimit.
“Pas këtij afati, depozitorët do ta humbasin të drejtën e tyre për ta marrë shumën dhe shuma e mbetur e depozitave do t’i kthehet FSDK-së për përdorim në rastet e ardhshme të kompensimit. Është me rëndësi të ceket për depozitat që tejkalojnë shumën e siguruar prej 5 000 eurosh, depozitorët këshillohen të kontaktojnë likuidatorin e bankës së cilës i është revokuar licenca për ta bërë kërkesën në lidhje me depozitat e tyre të pasiguruara në pajtim me procedurat e likuidimit siç përkufizohet në Ligjin për Bankat. FSDK, që nga themelimi, nga viti 2011 e deri më sot, nuk ka pasur raste të kompensimit”, është shprehur Arifi-Krasniqi.
Albulena S. MAVRAJ