Arifi: Kurti është përçarës dhe mashtrues i paparë, duhet ta ndalojmë
Si “mashtrues” dhe “përçarës” e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi, në një intervistë për “Albanian Post”, teksa ka theksuar se me 1.2 milion eurot që Qeveria e Kosovës ka ndarë gjatë vitit 2022 për Luginën “janë blerë votat” për zgjedhjet e jashtëzakonshme që janë mbajtur më 17 dhjetor të vitit të kaluar në Serbi.
“Në Luginën e Preshevës na ka dëmtuar skajshmërisht ndërhyrja e Kurtit në zgjedhje. Na ka humbur besimin të njëri-tjetri. E ka humbur besimin të qytetarët e Kosovës që kanë dërguar taksa për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kurti është përçarës dhe mashtrues i paparë, duhet ta ndalojmë”, ka thënë Arifi.
Madje sipas tij, Kurti “e ka dëmtuar idenë e përkrahjes së Kosovës për Luginën e Preshevës”, meqë i pari i Preshevës mendon se shqiptarët i bojkotuan zgjedhjet, pasi janë diku rreth 60 mijë votues, por vetëm 13 mijë persona kanë votuar në zgjedhjet e fundit.
I pari i Preshevës ka theksuar se mjetet që janë ndarë nga Qeveria e Kosovës për Luginën janë shpërndarë kryesisht për persona që janë të afërt me deputetin shqiptar të Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberin dhe këshilltaren e Kurtit, Ardita Sinanin.
“Kanë përfituar njerëzit e afërt me Shaip Kamberin dhe Ardita Sinanin të cilët janë të afërt me Kurtin, kanë hapur shoqata fantome. Ka pasur hapje të shoqatave edhe pas shpalljes së konkursit. I ka marrë një person për shkrimin e katër vjershave 45 mijë euro, një person tjetër që nuk ku as shoqatë e ka një autolarje, i cili është i lidhur edhe me Liburn Aliun e ka fituar një projekt prej 30 mijë eurove”.
Po ashtu, Arifi ka akuzuar Këshillin Nacional të Shqiptarëve në Luginë se i ka ndarë 200 mijë euro Faton Bislimit për lobim në ShBA pa asnjë kriter.
“Faton Bislimi i ka marrë 200 mijë vetëm për t’i dërguar disa politikanë për t’u takuar me disa kongresistë edhe pse nuk ka pasur licencë lobimi në ShBA”, ka thënë Arifi.
Ndërsa vitin e kaluar, Arifi pati bërë me dije se Prokuroria Speciale në Kosovë ka filluar hetimet për keqpërdorimin e Fondit të Kosovës përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, të udhëhequr nga organizata sipas tij “korruptive”.
Mospajtimet në mes të Arifit dhe Kurtit janë krijuar pasi që i fundit i ka dhënë mbështetje kundërshtarëve politikë të Arifit në Luginë të Preshevës.
Ai e ka mbështetur Ardita Sinanin, tanimë këshilltare e tij, në kohën kur Arifi po tentonte që ta zinte vendin e saj në krye të Komunës së Preshevës. Ndaj akuzave të Arifi, deri më tani asnjëherë nuk u është përgjigjur kryeministri Kurti.