Arifi: Luajmë ndaj superfuqive, por japim maksimumin për sukses
Të enjten ndaj Sllovenisë për Kosovën në ndeshje zyrtare do të debutojë Albana Arifi, që gjatë verës fitoi të drejtën të paraqitet me Përfaqësuesen e Kosovës.
Albana, që ka të kaluar shumë të suksesshme me Suedinë, ka katër ditë që është bashkuar me përfaqësuesen dhe mezi po pret ta luajë ndeshjen e parë zyrtare me Kosovën. Albana pritet të jetë një nga lideret e Kosovës dhe të japë kontribut së bashku me vashat e tjera që të kalojnë në nivel më të lartë. Kosova të enjten luan ndaj Sllovenisë në Maribor, kurse të dielën e presim Gjermaninë në Prishtinë. “Po ndihem shumë mirë. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Me padurim po e pres ndeshjen e parë kundër Sllovenisë por, mbi të gjitha, jam duke e pritur debutimin kundër Gjermanisë në Pallatin e Rinisë para publikut tonë, me shpresë që salla do të mbushet”, ka thënë Albana Arifi.
Ajo është e kënaqur me ekipin, punën që po e bëjnë vashat dhe selektori Agron Shabani. “Edhe pse ballafaqohemi me dy superfuqi të hendbollit botëror, unë personalisht në secilën ndeshje hyj për fitore dhe luaj 100 % deri në sekondën e fundit për fitore. E respektoj secilin kundërshtar, por nuk i frikësohemi askujt. Do ta japim maksimumin që ta bëjmë secilin kundërshtar të mos ndihet komod kur të ballafaqohet me ne”, ka deklaruar Albana Arifi.