
Arifi për Kurtin: I ka ardhur fundi rrencit dhe mashtruesit më të madh që ka pasur Kosova në histori
Ish-diplomati Avni Arifi ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke theksuar se Kosova dhe populli i saj nuk janë marrë kurrë me skandalet diplomatike që ai ka shkaktuar, të cilat kanë sjellë dëme të pariparueshme për vendin
Arifi në “Facebook” ka akuzuar Kurtin për një sjellje arrogante dhe të papërgjegjshme në takimet ndërkombëtare, duke u paraqitur si një “lojtar global” që jep leksione për organizimin e botës, ndërkohë që situata brenda Kosovës është e vështirë.
Ai ka kritikuar edhe pabesinë e Kurtit ndaj diplomatëve, duke përmendur rastin me dërguarin amerikan, Escobar, që u tradhtua nga Kurti përmes publikimit të informacionit të brendshëm. Sipas Arifit, koha e mashtrimeve të Kurtit ka mbaruar.
Postimi i plotë i Arifit:
Kosova dhe populli i saj nuk janë marrë kurrë me skandalet diplomatike të Kurtit, të cilat i kanë sjellë në vazhdimësi dëme të pariparueshme vendit. Pak janë njerëzit që janë të dashuruar në vetveten siç është Kurti në vetveten dhe në idenë e tij të çmendur si “lojtar global”. Të shumta janë raportimet se sjellja e tij në takime ndërkombëtare është ajo e një “lojtari global” që u “tregon” liderëve botërorë se si duhet të rregullohet bota.
Ai, në konferenca të socialistëve, duke përfshirë në Greqi e Spanjë, u mban ligjërata liderëve të majtë për mënyrën si duhet të organizohet e majta dhe flet për sfidat me të cilat përballet kjo ideologji. Flet për konflikte globale, ndërsa punët në shtëpinë e vet i ka llugë. Populli i tij është ndër më të varfrit në Evropë, rinia e tij e shpërndarë në tërë Evropën dhe Amerikën, ndërsa shtetin dhe kufirin e tij e ruajnë ShBA-të. U shet trimëri të tjerëve dhe del me gjoks përpara, por përveç gojës së madhe, nuk ka as trimëri, as burrëri.
Çdo diplomat që “në besë” ka ndarë informacion me të, ai e ka tradhtuar duke e keqpërdorur apo publikuar atë informacion. E rëndë ishte pabesia që ia bëri të dërguarit amerikan Escobar, kur informacionin se ai po merrte një detyrë të re, Kurti e plasoi në media ndërkombëtare përmes një mbeturine gazetareske se gjoja Escobar është shkarkuar. Pikërisht këtë mbeturinë tani po e përdor për të shpërndarë gënjeshtra, se gjoja jeta e Kurtit është në rrezik.
Nuk po shiten më rrenat e tij si më parë. I ka ardhur fundi rrencit dhe mashtruesit më të madh që ka pasur Kosova në histori.