Arifi për Kurtin: Në Kroaci flet për shtet të së drejtës, këtu nuk paraqitet në prokurori
Ish-diplomati Avni Arifi, ka reaguar pas mosparaqitjes se kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti si dëshmitar në Prokurorinë Speciale lidhur me çështjen e rezervave shtetërore.
Arifi ka thënë se ditë më parë, Kurti në Zagreb ka folur për ndërtimin e shtetit të së drejtës, ndërsa në Kosovë refuzoi t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë Speciale në cilësinë e dëshmitarit.
“Dy qëndrime të kundërta dhe skandaloze të Kurtit: Në Kroaci, gjatë një konference për shtyp, Kurti deklaroi se në Kosovë kemi ‘ndërtuar shtet të së drejtës’. Ndërsa në Kosovë, pikërisht këtë shtet të së drejtës, partia e tij e kritikon sa herë që organet e drejtësisë hetojnë të korruptuarit e Qeverisë dhe partisë së tij. Për më tepër, ftesës së Prokurorisë për intervistim i përgjigjet me fyerje dhe sillet si një entitet mbi institucionet, duke e parë ligjin si të vlefshëm vetëm kur i shërben interesave të tij politike. Ky deklarim në Kroaci më kujtoi ish-Kryeministrin kroat, Sanader. Edhe ai, në kohën e vet, kishte gojën plot vrer kundër korrupsionit, por në fund përfundoi në burg për afera të rënda korruptive”, ka shkruar Arifi në “Facebook”.