Arifi i përgjigjet Mustafës: Të thuhet se taksa nuk ka pasur efekt është xhelozi e sëmurë
Shefi i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj, Avni Arifi, ka reaguar ndaj kreut të LDK-së, Isa Mustafa, pasi ky i fundit tha të dielën se tarifën ndaj mallrave serbe dhe boshnjake nuk po e paguajnë Serbia dhe Bosnja, por 100 për qind po e paguan Kosova.
Ai përmes një postim në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se është absurde dhe për gjynah konstatimi se 50 milionë euro që Kosova për çdo muaj i importonte nga Serbia qenkan zëvendësuar me kontrabandë.
Arifi ka theksuar se shteti serb ka mbetur pa treg, dhe që Kosova nuk po paguan për tarifa por po e respekton vetën.
Postimi i plotë i tij:
Është absurd, i ligë dhe për gjynah konstatimi se €50 milionë që Kosova për çdo muaj i importonte nga Serbia qenkan zëvendësuar me kontrabandë. Njerëz, mos u tallni me inteligjencën tuaj!!! E vërtetë se ka kontrabandë dhe gjithë ka pasur por të pohohet se efekti i tarifës është i papërfillshëm është xhelozi pak e “vocërr” e pak e sëmurë. E vërteta është se shteti serb për momentin ka mbet pa këtë treg dhe çdo ditë e më shumë po kuptohet se cilido shtet nuk mundet ta ketë një treg njerëzit e të cilit as nuk i njeh as nuk i respekton. Kosova spo paguan për tarifa. Kosova po respekton vetveten.