Arifi: Raportet me ShBA-në janë shqetësuese, Kurti s’po bën asnjë përpjekje për përmirësimin e tyre

20 mars 2024 | 16:12

Ish-kryenegociatori i Kosovës në qeverinë Haradinaj, Avni Arifi, ka vlerësuar se shtetit tonë nuk i shërben acarimi i raporteve me ShBA-në.

Ai ka thënë se ruajtja dhe avancimi i raporteve me ShBA-në është jetike për ardhmen e Kosovës

Deklaratat e emisarit amerikan, Gabriel Escobar dhe mungesën e përpjekjeve nga ana e qeverisë apo kryeministrit Kurti për të vendosur komunikim të rregullt me Amerikën, Arifi i ka parë si mjaftë shqetësuese.

“Unë nuk besoj që Kosovës i shërbehet duke acaruar raportet me ShBA-në. Besoj se është e interesit jetik të Kosovës që raportet e partneriteti me ShBA-në të mos cenohet. Ajo çfarë kemi dëgjuar nga Escobari dhe çka do të dëgjojmë në ditët dhe javët në vijim si duket, është me të vërtetë shqetësuese sepse progresi që e kemi arritur ne e kemi arritur sepse kemi pasur partneritet të fuqishëm me ShBA-në. Është shqetësuese dhe nuk po shoh asnjë indikacion tek Qeveria apo te kryeministri që kanë përpjekje serioze për të rivendosur një komunikim të rregullt apo normal me SHBA-të”, ka thënë Arifi për “Blic”.

Sipas tij, është e papranueshme që në vit jubilar për themelimin e NATO-s dhe ndërhyrjen e saj në Kosovë, të kemi raporte të tilla me SHBA-të, duke shtuar se Kosova kurrë s’ka qenë më larg anëtarësimit në NATO.

“Është e pabesueshme që në këtë muaj festohet 25-vjetori i intervenimit të NATO-s në Kosovë dhe ShBA-së, është vit jubilar, siç është dhe 75-vjetori i krijimit të NATO-s dhe në këtë vit jubilar Kosova të ketë raporte shumë të këqija me ShBA-në dhe të mos jetë askund procesi i integrimit të Kosovës në NATO. Para dy vitesh ka qenë e pritshme që Kosova të gjendej në një fazë të anëtarësimit në NATO, kurse sot duke që ky proces me këtë qasje që ka Qeveria e Kosovës kurrë nuk ka qenë më larg”, ka thënë Arifi.

Po ashtu, Arifi ka folur dhe për mundësinë që Asociacioni të jetë kusht për anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Në parim nuk do të duhej. Në atë çfarë tha Escobar nuk përjashtohet mundësia që të krijohen kushte shtesë. Në bazë të asaj që ne kemi menduar dhe e kemi parë këtë proces që ka ndodhur dhe më herët. Është proces i BE-së dhe ata mund të vënë dhe obligime. Nuk ka paralajmërime, por të vetmin paralajmërim që nuk është aspak joserioz e kemi nga z. Escoar që mund të ketë edhe dy kritere tjera, pra ajo e Asociacionit dhe e shpronësimeve në veri”, ka thënë Arifi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Taulant Seferi është aktivizuar me të rinjtë e Maqedonisë së…