Arkeologët izraelitë zbulojnë tualet të ndërtuar para 2 700 vjetëve
Arkeologët izraelitë kanë njoftuar të martën se kishin zbuluar një tualet 2 700-vjeçar, të bërë për një familje të vetme.
Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit (IAA) ka raportuar se arkeologët kanë zbuluar një tualet të lëmuar dhe të gdhendur gëlqeror në një dhomë drejtkëndëshe në një rezidencë të madhe, në atë që tani është Qyteti i Vjetër në lagjen Armon Hanatziv të Jeruzalemit.
Blloku i gdhendur gëlqeror me një vrimë në qendër ishte vendosur në majë të një grope septike të thellë me madhësi rreth 1.5 me 2 metra.
“Një kabinë tualeti privat ishte shumë e rrallë në antikitet, dhe vetëm disa u gjetën deri më sot. Vetëm të pasurit mund të përballonin tualete”, ka thënë drejtori i gërmimit, Yaakov Billig.
Billig ka thënë se shenja më e mirë e një njeriu të pasur ishte të kishte “një tualet pranë tryezës së tij”.
Vendbanimi ku është gjetur tualeti kishte kolona guri dhe një kopsht me pemishte dhe bimë, tregues të tjerë të privilegjit të atyre që uleshin në fronin gëlqeror.
Në tualetin e lashtë, kishte gjithashtu 30 deri në 40 tasa për të cilët Billig ka spekuluar se mund të ishin përdorur për aromatikë të tillë si vaji, temjani ose metoda të tjera të epokës për të neutralizuar aromat e pakëndshme, shkruan “DW”
IAA ka theksuar se materialet e gjetura në rezervuar, të tilla si eshtrat e kafshëve dhe qeramika, mund të sigurojnë njohuri mbi zakonet dietike, mënyrën e jetesës apo edhe sëmundjet e epokës.
Gërmimi ende nuk ka përfunduar për shkak të kufizimeve financiare.