ARKEP-i ende s’ka pranuar aplikim formal për transferim të numeracionit të përdorur nga ‘Z- Mobile’
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka njoftuar se është duke vazhduar ta trajtojë me prioritet të lartë procesin e përmbylljes së raportit komercial ndërmjet operatorit të rrjetit të telekomunikimeve, Telekomi i Kosovës dhe operatorit virtual të rrjetit “Z Mobile”, me fokus të veçantë për sigurimin e shërbimeve për përdoruesit fundorë (konsumatorët), përkundër faktit se marrëveshja e Telekomit (ish-PTK) me Dardafon (Z mobile) ka qenë e natyrës komerciale apo private siç njihet nga shumica e rregullatorëve evropian.
“ARKEP, që nga njoftimi zyrtar nga Telekomi i Kosovës për ndërprerjen e këtij bashkëpunimi, ka marrë disa veprime rregullative me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve, ndër të tjera, edhe duke kërkuar nga palët që të përmbahen nga veprimet e njëanshme që do të mund ta dëmtonin konsumatorin. Në funksion të kësaj, për shkak të rëndësisë që ka kjo çështje, është trajtuar në pesë mbledhje të Bordit të ARKEP-it, nga data 26 korrik 2019. ARKEP-i i bënë me dije konsumatorët e shërbimeve dhe opinionin e gjerë se sa i përket çështjes së numeracionit në përdorim për telefoninë mobile në Republikën e Kosovës, Ligji për komunikimet elektronike dhe Rregullorja për Planin Kombëtar të Numeracionit, e përcaktojnë qartë mënyrën e aplikimit dhe ndarjes për përdorim apo transferim të numeracionit nga ARKEP, për ndërmarrjet që operojnë në tregun e komunikimeve elektronike”, është thënë në komunikatën e Bordit të ARKEP-it.
Po ashtu ARKEP-i ka bërë me dije se deri më tani nuk ka pranuar ndonjë aplikim formal për ndarje, ndërprerje të përdorimit apo transferim të numeracionit të përdorur nga “Z Mobile”, ashtu siç e parashihet për vendimmarrjen në lidhje me resurset e komunikimeve elektronike me Ligjin dhe Rregulloren e lartpërmendur.
“Njëkohësisht, në këtë rast ARKEP-i vënë në pah se nuk bëhet fjalë për mungesë të numeracionit të cilin operatorët, përfshi edhe Telekomin e Kosovës, e kanë në dispozicion.
“Ata kanë kapacitete shumë më të mëdha sesa numri i klientëve të tyre dhe mund të marrin edhe numeracion shtesë në rast të paraqitjes së nevojës, në çdo kohë. Por, në secilin rast, është në diskrecion të përdoruesve fundor që të vendosin se shërbimet e cilitdo operator do t’i marrin në shfrytëzim, megjithatë ARKEP-i do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që qytetarët të mund të mbajnë numrat e tyre, duke ua mundësuar vijueshmërinë e shërbimit, i cili në këtë rast është dhënë nëpërmjet rrjetit të operatorit Telekomi i Kosovës”, është theksuar në komunikatën e ARKEP-it.
ARKEP-i ka njoftuar se ka pranuar informacionin nga Telekomi i Kosovës se faza e tranzacionit për përmbyllje të këtij procesi do të zgjasë 120 ditë nga data 30 korrik.
“I bëjmë me dije konsumatorët dhe opinionin e gjerë se ARKEP-i është i vendosur në përkushtimin e vetë për zbatimin e Kushtetutës, ligjit dhe akteve tjera rregullative, sa i përket zhvillimit të veprimtarisë dhe zbatimit të kompetencave në fushën e vet. Prandaj, në asnjë rast nuk do t’i nënshtrohet interesave të kujtdo qoftë, e as paragjykimeve të pabaza”, është theksuar ndër të tjera në komunikatën e ARKEP-it.
/Epoka e re/