ARKEP-i: ‘Z- Mobile’ të mos vendos në treg SiM kartela të reja
Bordi i Autoritetit Rregullativ të komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka pritur të martën në takime të ndara përfaqësuesit e ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës sh.a. dhe përfaqësuesit e ndërmarrjes Dardafon.net (Z-Mobile), për të kërkuar sqarimet e nevojshme në lidhje me procesin e tranzicionit pas mosvazhdimin e raportit komercial ndërmjet palëve.
Bordi i ARKEP-it është njoftuar nga këto ndërmarrje me veprimet e ndërmarra deri më tani, pas njoftimit për mosvazhdimin e raportit komercial nga Telekomi i Kosovës.
Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi si dhe me qëllim të zbatimit të plotë të Kornizës Rregullatore, ARKEP-i ka kërkuar që deri në përmbyllje të procesit: Palët e involvuara në këtë proces të mosndërmarrin veprime të njëanshme të cilat do të mund të dëmtonin konsumatorin, me të cilën kërkesë janë pajtuar të dy palët; Operatori Dardafon.net gjatë kësaj faze të mos vendos në treg SiM kartela të reja, të mos krijoj pako e produkte të reja, si dhe të mos hyjë në kontrata të reja me konsumatorët.
“Bordi i ARKEP-it do ta njoftojë opinion me kohë për çdo hap që do të ndërmarrë në lidhje me këtë proces të cilin është duke e trajtuar me prioritet të lartë. Pas marrjes së informacioneve shtesë nga operatorët gjatë ditëve në vijim dhe analizimit të praktikave evropiane, ARKEP-i do të marr vendime nëse janë të nevojshme në lidhje me këtë proces, sidomos me qëllim të ruajtës së vazhdimësisë së shërbimit për konsumatorët. ARKEP-i në funksion të zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive, të cilat dalin nga Ligji bazë për Komunikimet Elektronike mbetet i përkushtuar në vazhdimësi për rregullimin e tregut në kuadër të mandatit që ka dhe mbi bazën e parimeve themelore, të cilat garantojnë konkurrencë efektive, transparencë, mos diskriminim dhe para së gjithash mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve”, është thënë në njoftimin e ARKEP-it.
/Epoka e re/